Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq të pandehurin Ervin Muça, ish drejtor i IT në Policinë e Shtetit.
Organi i akuzës thotë në njoftimin zyrtar se ai do të gjykohet për veprën penale “hyrje e paatorizuar kompjuterike” dhe akutalisht është me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”.
Prokuroria thotë se ai në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshem të Policisë së Shtetit, nuk ka një informacion, memo informuese, plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre.
“I pandehuri Ervin Muça ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpesh herë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent”, shkruan prokuroria.
Prokuroria thotë se ky kryerja e procesit të bekapit duke eksportuar të dhëna në hard disk nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e.
Pas hapjes së portave USB, procesi i back-up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht, bën të ditur organi i akuzës.
Prokuroria thekson se lidhur me veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për të cilin gjithashtu është regjistruar procedimi është vendosur ndarja e çështjes.
Ervin Muca u shkarkua nga detyra që mbante prej drejtorit të përgjithshëm të asaj kohe Muhamet Rrumbullaku. Ai ka mohuar të jetë i përfshirë në ndërhyrjen në sistemin TIMS, duke theksuar se është i pafajshëm.
Për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, Kuvendi ngriti edhe një komision hetimor parlamentare, në të cilin dëshmoi edhe drejtori i teknologjisë dhe informacionit të policisë së shtetit, Ervin Muça.
PS dhe PD dolën me dy raporte të ndryshme, ndërkohë që kryetari i atij komisioni, Ervin Salianji raportin e opozitës e dorëzoi në SPAK.
Klan News