Ylvi Beqja është biznesmeni që ka denoncuar Emiljano Shullazin dhe 4 anëtarë të grupit të tij për dhunë, kërcënim dhe shantazh, për t’i zhvatur shuma të mëdha parash.

Biznesmeni është marrë në mbrojtje nga policia, pasi ka pranuar të bashkëpunojë dhe të tregojë rastet kur është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi dhe dy të arrestuarit e ditës së enjte, Endri Qyqja dhe Endri Zela.

Prokuroria ka admnistruar dëshminë e biznesmenit dhe është prova më e fortë që kanë hetuesit.

Sipas hetimeve, marrëdhënia mes tyre ka filluar me nënshkrimin e një kontrate noteriale, ku Shullazi ka marrë përsipër t’i kthejë biznesmenit pronësinë e ish – hotel “Vollgës” në Durrës. Në këmbim të kësaj pune, Beqaj do t’i dhuronte Shullazit 20 % të pronës.

Pas nënshkrimit të kontratës, në vazhdimësi Emiljano Shullazi ka kërkuar nga biznesmeni sasi të mëdha parash nën kërcënimin e dhunës verbale, psikologjike dhe fizike.

Të pranishëm në situata të tilla kanë qënë Gilmando Dani, Endri Qyqja dhe Endri Zela, si dhe disa persona të tjerë.

Dani është personi, i cili ka folur disa herë në telefon me biznesmenin, duke i kërkuar dhe marrë para prej tij

.

Ndërsa Qyqja dhe Zela kanë qënë të pranishëm në disa raste, kur Emiljano Shullazi ka kërkuar paratë nga Beqja. Dy të arrestuarit e të enjtes kanë marrë të pakten 3 çeqe të lëshuara nga Beqja.

Konkretisht, në datat 5 dhe 15 Dhjetor, Endri Zela të vitit 2014 ka tërhequr gjithsej 50 mijë euro. Qyqja në 16 Dhjetor të po atij viti ka tërhequr nga banka 16 mijë euro.

Grupi hetimor ka sekuestruar nga bankat e nivelit të dytë të gjithë praktikën e ndjekur në tërheqjen e parave dhe pamjet filmike. Sipas prokurorisë këto para janë marrë në kërcënim pasi mes paleve nuk ka patur kontrata të tjera.

Ditën e shtunë, Zela dhe Qyqja pritet të dalin përpara gjykatës, ku do të njihen me masën e sigurisë marrë në mungesë nga Gjykata për Krimet e Rënda.

Endrit Qyqja nuk është një emër i panjohur për policinë.

Në 2005, ai ka vrarë pranë zonës së ATSH-së në Tiranë, Erind Koçinë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e dënuan me 18 burg 33 – vjeçarin Qyqja për vrasje me dashje. Ndërsa Gjykata e Lartë në 2009 prishi vendimin duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje me dashje, në vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, pas një sherri mes të rinjve.

Tv Klan