Publikohen pamjet e arrestimit nga forcat RENEA

Ritvan Sukaj, prokurori që firmosi urdhër arrestet për vëllezërit Ardian dhe Florenca Çapja dhe për Ardi Çekanin, është marrë në mbrojtje nga policia e Elbasanit.

Lajmi konfirmohet nga burime të policisë dhe prokurorisë së Elbasanit, sipas të cilave, marrja në mbrojtje është bërë për shkak se fisi Çapja konsiderohet me një rrezikshmëri të lartë.

Ardian Çapja dhe Ardi Çekani u prangosën një ditë më parë nga forcat RENEA, ndërsa Florenci u shpall në kërkim. Dy vëllezërit akuzohen një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Ky është momenti i arrestimit të Ardian Çapes. Ai u kap në shtëpinë e tij, një banesë private në periferi të Elbasanit, në një operacion të koduar me emrin “Krasta 2021”, ku morën pjesë edhe forcat RENEA.

Ardian Çapja nuk ka bërë rezistencë edhe pse në shtëpi mbante një kallashnikov, ky që po shihni në këto pamje të publikuara nga policia. Në shtëpinë e tij u gjetën edhe 5 radiomarrëse dhe disa uniforma policie.

Kur forcat RENEA hynë në shtëpi, ai ishte në shoqërinë e Ardi Çekanit, një person në kërkim, i dënuar me 1 vit e 6 muaj për “Dhunë në familje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Çekani kishte me vete një sasi të vogël marijuane. Ardian dhe Florenc Çapja akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë vrarë Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir. Krimi dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri ishte dënuar për vrasjen e Sokol Çapes, vëllait të tyre, në vitin 2005.

Tv Klan