Tashmë është zyrtare! Sezoni 2020-2021 në Bundesligën gjermane e futbollit do të nis të premten e 18 Shtatorit. Është ky vendimi i marrë nga Federata, që pasditen e djeshme ka publikuar edhe shortin për dy ligat kryesore në vend. Kampionët në fuqi të Bayern Munich do e nisin mbrojtjen e titullit përballë rivalit historik, Schalke 04.

Deri në këto momente është edhe ky duel ndeshja hapëse e sezonit, gjithsesi, një vendim përfundimtar do të merret në varësi të ecurisë së bavarezëve në Ligën e Kampionëve. Në rast se Bayern kualifikohet në finalen e 23 Gushtit, plani do të ndryshojë tërësisht.

Në këtë rast, sezoni do të fillonte të premten me ndeshjen mes Borussia Dortmund dhe Borussia Mönchengladbach, ndërsa Bayern Munich-Schalke do të luhej të hënën e 21 Shtatorit. Klasikja e parë Dortmund-Bayern luhen në javën e 7-të, e thënë ndryshe në fundjavën e dytë të muajit Nëntor. Por fillimisht këtë duel do e shikojmë në Superkupën e Gjermanisë, që do të zhvillohet në “Allianz Arena” në Mynih më 30 Shtator 2020.

Tv Klan