10 vjet për Moisi Habilajn dhe nga 9 vite për bashkëpunëtorët e tij

Dënimit prej 15 vitesh burg në Itali të Moisi Habilajt i shtohet një dënim tjetër prej 10 vitesh burg në Shqipëri. Anëtarët e grupit të Habilajve që sipas drejtësisë italiane trafikuan gati 30 ton kanabis në katër vite nga Shqipëria drejt Italisë, kanë marrë dënimin edhe nga gjykata shqiptare.

Nga 18 vite që kërkoi SPAK, për Moisi Habilajn që konsiderohej kreu i grupit u vendos dënimi prej 10 vitesh. Gjithsesi për momentin ai është në arrati pasi ia doli t’u shpëtojë karabinierëve italianë gjatë kohës që ishte në arrest shtëpie atje.

Për anëtarët e tjerë të grupit, Nazer Seitajn, Fatmir Minajn dhe Meridian Sulajn, gjykata vendosi për secilin nga 9 vite burg, nga 15 që kishte kërkuar SPAK.  Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane rreth 300 mln Euro drogë.

Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga prokuroria e Katanias, treguan se trafikantet e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të kufirit. Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.

Tv Klan