“Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mj, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim.

Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mi, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë.

Do ta kaloj jetën dhe profesionin tim në pastërti dhe dlirësi.

Në çdo shtëpi që të hyj, do të hyj vetëm në të mirë të të sëmurit, duke qëndruar larg prej çdo padrejtësie dhe të pabëre…

Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e dhunoj këtë betim, le të jetë fati im i ndryshëm.”

Këto ishin pjesë të shkëputura nga Betimi i Hipokratit, një ligj moral i mjekëve profesionistë që bëhet para fillimit të këtij profesioni.

Në Shqipëri mjekët duhet të përballen me të drejtën e pacientit por edhe nevojën e tyre për tu vlerësuar. Çfarë ka ndodhur me mjekësinë shqiptare në këto 30 vite?

Për të folur rreth kësaj teme në studion e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, kanë qenë dy mjekë të njohur Pirro Prifti dhe Ylli Ziçishti. Ata shprehen se ryshfeti para viteve ’90 nuk ka ekzistuar, thjesht mund të merrnin dhurata simbolike nga pacientët që kishin dëshirë dhe gjithmonë pasi ndodh operacioni. Të marrësh lekë para opeacionit dhe të bësh pazar me jetën e një pacienti kjo gjë është krim sipas mjekut Ziçishti.

Mirela Milori: Sa vjet keni që e ushtroni këtë profesion?

Ylli Ziçishti: Që në vitin ’74.

Mirela Milori: Si ka qenë fillimi?

Ylli Ziçishti: Fillimi gjithmonë duke e pasur atë betimin, ai është kryesori dhe ata që na kanë mësuar ne, nuk bëheshe fjalë për ryshfet.

Mirela Milori: Ryshfet jo, por dy kokrra mollë, një diçka ishte dhe në atë kohë.

Ylli Ziçishti: Atëherë mbaronte puna vinte ai të merrte për një drekë ose të binte diçka materiale. Nuk është mit-marrje. Unë nuk bëra problem, kam mbaruar punën, ai është mirënjohës e do të të japë një drekë, kjo s’ka gjë, të gjithë e kemi bërë. Por që të bësh pazar që të japësh kaq lekë për të të futur në operacion, kaq bën operacioni në asnjë mënyrë.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi në vitin ’90 doktor?

Ylli Ziçishti: Në vitin ’90 filloi duke u dhënë leku. Ky lek që përflitet është dhënë për të bërë pazar apo ta ka dhënë tjetri pas operacionit. Se të bësh pazar me të sëmurin që ai bie kokën, s’bie xhaketën, t’i thuash kaq lekë bën o s’të fus në sallë, ai është një krim për mua.

Pirro Prifti: Është e vërtetë që ka dallim para dhe pas ’90-ës. Para ’90-ës nuk kishte kështu elementesh jo sepse ka qenë sistemi i mirë, por problem ishte se diktatura ka qenë shumë e ashpër dhe rregulla shumë të forta. Pas ’90-ës ka pasur në liberalizim të madh dhe gjithë defekti kryesor i kësaj ishte që rrogat ngelën njëlloj, të vogla në raport me shtetet e tjera që kemi përqark, por ra dhe kontrolli i sistemit të spitaleve publik. Nuk kishte monitorim dhe menaxhim të mirë të sistemit publik shëndetësor./tvklan.al