20 të shoqëruar për ekzekutimin e Bardhit

Një ditë pas ekzekutimit mafioz në Durrës të 40-vjeçarit Feriz Bardhi, policia ka shoqëruar mbi 20 persona që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mes të shoqëruarve janë edhe familjarë të viktimës, dëshmia e të cilëve do të shërbejë për të zbuluar konfliktet e mundshme që 40-vjeçari mund të ketë patur me persona të tjerë.

Referuar burimeve nga blutë e Durrësit, hetuesit e çështjes kanë mundur të sigurojnë bisedën e shkurtër mes atentatorëve dhe 40-vjeçarit Bardhi para se të qëllohej me breshëri automatiku. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje vrasësit i kanë komunikuar viktimës mesazhin e dhënë nga porositësi i ekzekutimit, përmbajtja e të cilët konsiderohet sekret nga grupi hetimor.

Ka dyshime se ata që kanë kryer vrasjen janë paguar nga persona të tretë. Feriz Bardhi, rezultonte i dënuar në Itali në 2012 për trafikim të lëndëve narkotike. Këtë aktivitet kriminal ai dyshohet se e ushtronte edhe në Shqipëri duke krijuar konflikte me grupe rivale. Armët e gjetura në një automjet të djegur në Fushë-Krujë po ekzaminohen në laboratorin e krminalistikës, për të zbuluar gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Tv Klan