Portugezi bashkohet me United, ‘mbreti’ gati për miqësoren me Vallecano

Shumë zhurmë për asgjë! Kështu mund të konsiderohet kjo verë për Cristiano Ronaldon, i cili pas shumë zërave për një largim të tij ka bërë hapa pas, duke u rikthyer në stërvitjen me Mançester United.

Përmes një komenti të lënë në rrjetet sociale, 37-vjeçari ka pranuar se do të jetë në dispozicion të trajnerit Erik ten Hag për testin miqësor ndaj Rajo Vallecano, ekip ku aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu.

“Mbreti” u rikthye dhe pritet të jetë në fushë për sfidën kundër spanjollëve, e programuar për tu luajtur në stadiumin mitik “Old Trafford”.

E ardhmja e Ronaldos te klubi anglez ka qenë objekt spekulimesh intensive pasi mediat britanike raportuan se ai i tha klubit se donte të largohej që të mund të luante në Ligën e Kampionëve.

Ronaldo ka një vit të mbetur në kontratën e tij me United dhe Ten Hag tha në fillim të këtij muaji se mezi priste të punonte me kapitenin e Portugalisë, i cili ishte golashënuesi i tyre më i mirë sezonin e kaluar me 24 gola në të gjitha garat.

Emri i 5 herë fituesit të Topit të Artë është lidhur me shumë skuadra, por për momentin asgjë konkrete. Bashkimi me pjesën tjetër të skuadër shihet si armëpushim për shumë tifozë, sidomos ata të United, që sigurisht e dëshirojnë në skuadër Ronaldon edhe për shumë sezone.

Klan News