Përmes një postimi në rrjetet sociaale, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shprehur solidaritetin e të gjithë popullit shqiptar për jetët e humbura në Itali prej pandemisë së koronavirusit.

“Në këto momente tepër të vështira, lutjet dhe mendimet tona shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, të cilave ju shpreh të gjithë solidaritetin e popullit shqiptar”, thotë Meta.

Kreu i shtetit uron shërim sa më të shpejtë për të prekurit nga pandemia, ndërsa thotë se kultura italiane ka frymëzuar të gjitha kombet. Meta shprehet se është duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim edhe situatën në bashkësitë arbëreshe. Presidenti i Shqipërisë shpreh mirënjohje për të gjithë mjekët dhe personelin shqiptar të integruar në sistemin shëndetësor italian.

“Me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrifica të pashembullta po bëjnë çdo gjë për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi kaq të rëndësishëm për kombin shqiptar. Ne u jemi thellësisht falenderues, pasi angazhimi i tyre fisnik dhe njerëzor bëhet, jo vetëm në emër të humanizmit, por edhe të mirënjohjes së mbarë popullit shqiptar, i cili sa herë ka përjetuar tragjedi dhe kriza të mëdha, ndihmën dhe mbështetjen e parë e ka gjetur te Italia dhe populli i saj bujar dhe i mrekullueshëm. Kam besimin e palëkundur se Italia jonë e dashur do ta kalojë me kurajo e vendosmëri këtë krizë të rëndë”, shkruan Meta.

E premtja ishte një ditë e zezë për shtetin fqinj pasi u shënuan 627 viktima në 24 orë. Numri total i viktimave ka shkuar në 4032./tvklan.al