Berisha: Burrështetas i shquar. Rama: U prehtë në paqe

Politika e të dyja krahëve, por jo vetëm, ka shprehur trishtim për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të ish-Presidentit Bujar Nishani.

Dielli perëndoi përgjithmonë për ish-presidentin Bujar Nishani”, kështu e nis mesazhin e tij të ngushëllimit kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili vlerëson figurën e tij, si një ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë dhe përkushtimit.

“Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Personalisht unë kam patur tek Bujar Nishani njërin prej bashkëpunëtorëve më ta afërt, më të aftë, më të dashur dhe me çmuar”.

Një mesazh ngushëllimi për familjen përcolli edhe Kryeministri Edi Rama. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ai publikoi një foto të ish-presidentit të ndjerë, të cilën e shoqëroi me mesazhin “u prehtë në paqe”.

Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

“Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe! Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit!”

Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Nishani përcollën edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e shumë personalitete të tjera të jetës publike në vend.

Ngushëllime për këtë humbje shprehu edhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila thotë se kontributi i Bujar Nishanit për Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër do të mbahen mend nga bashkatdhetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e shumtë.

Tv Klan