Urdhri: Mbylle kullën! Përgjigja: Guxim kam, por jo deri këtu!

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Trafikut Ajror Armando Fezga, përgjegjësja e turnit, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini janë tre kontrollorët e arrestuar nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës për bllokimin e aeroportit të Rinasit ditën e mërkurë. Një nga kontrollorët e arrestuar ishte mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion”, ku dha versionin e saj për ngjarjen.

Për tre punonjësit e mësipërm, provë është konsideruar biseda me njëri-tjetrin në WhatsApp, ku flitet për organizim të grevës dhe për braktisjen e vendit të punës, që çoi në mbylljen e aeroportit.

Në një prej komunikimeve telefonike është dhe ky mesazh i dërguar nga një prej kontrollorëve, i cili shkruan në mënyrë urdhëruese “Mbylle kullën”, ndërkohë që kontrollori tjetër i përgjigjet: “Guxim kam, por jo deri këtu. Ato letra i djeg Maksi me çakmak, pas ndërmarrjes”.

Sipas bisedave të tjera, Muhin Mezini me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve, u ka dërguar në foto formularët e paaftësisë së përkohshme të plotësuar, duke organizuar bllokimin e punës.

Ndërkohë, Armando Fezga ka rezervuar në një hotel afër aeroportit 25 dhoma dyshe, për stafin e kontrollorëve.

Avokati i  kontrollorëve, Rezart Kthupi, në një komunikim për mediat tha se tre kontrolloret akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe se njeri prej tyre nuk është në kushte të mira shëndetësore.

 “Sapo kanë përfunduar procedurat për ndalimin e tre prokurorëve, akuza është shpërdorim detyre në bashkëpunim, kjo është sa i takon pjesës informative. Zoti Fezga sapo ka kaluar Covid-in, nuk është në kushtet më të mira, për të përballuar ndalimin prej 228 orësh në paraburgim. Është një akuzë që nuk mund t’ju komunikohet atyre, sepse nuk janë funksionarë publikë. Personat e ndaluar e kanë kundërshtuar ndalimin e tyre, nuk e di nëse një person mund të ndalohet për komunikime në WhatsApp. Pra është një akuzë që është ngritur në bazë të komunikimit në grup”.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se mbi 20 kontrollorë të tjerë u shoqëruan gjatë natës, por ata kanë mohuar se janë përfshirë në organizmin e një greve.

Tv Klan