Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Me këtë mesazh dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, gëzuar festën e Vitit të Ri 2001. Uroj që ky vit, të sjellë për shqiptarët, kudo që festojnë këtë ditë, më shumë gëzime, paqe, shpresë, mirëkuptim, shëndet, mbarësi, për ata, familjet e tyre dhe kombin shqiptar.

Viti që lëmë prapa, nuk ishte viti i stabilitetit, prosperitetit, sigurisë dhe integrimit që ne meritojmë. Viti që lamë prapa ishte vit i zhgënjimeve të mëdha. Ajo çka u premtua si e nesërme më e mirë, u provua si e nesërme me errësirë, me dhunë dhe terror, por unë kam bindjen më të thellë se asgjë nuk ka mposhtur dhe nuk ka shuar tek shqiptarët shpresën, për një të ardhme që meritojmë. Ndaj dhe unë ftoj gjithë bashkëkombasit, për ndërtimin në Shqipëri të një prosperiteti, rendi dhe sigurie që meritojmë për integrimin e Shqipërisë në Europë”./tvklan.al