Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor e nis nga Shqipëria. Vetë von der Leyen në një postim në Twitter, thotë se ajo e nis këtë tur me një mesazh të qartë.  

“Sot nis vizitën tek 6 partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, përpara samitit të javës së ardhshme. Mesazhi im është i qartë: Ne ndajmë një të ardhme të përbashkët europiane. Ne po e përgatisim atë tani, duke tejkaluar Covid së bashku, duke investuar në mënyrë strategjie, duke i dhënë rinisë tonë oportunitete“, shkruan presidentja e KE.

Presidentja e KE sot në Tiranë

Përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që pritet të mbahet më 6 Tetor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po viziton Ballkanin Perëndimor.

Sot vizitën e fillon me Tiranën. Në orën 09:00 pritet që Ursula von der Leyen të takohet me kryeministrin Edi Rama në Pallatin e Brigadave, ku do të ketë edhe një ceremoni zyrtare. Pas takimit me Ramën, presidentja e KE do të takohet me Presidentin Ilir Meta në orën 10:00 në Presidencë.

Ndërsa rreth orës 11:15 Ursula von der Leyen do të vizitojë një shkollë në Qerekë të Krujës ku do bëhet edhe konferenca për shtyp me Kryeministrin Rama. Të martën pasdite ajo do të udhëtojë për në Shkup, të mërkurën në mëngjes Presidentja von der Leyen do të jetë në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti./tvklan.al