Endri Mustafa dyshohet se u ekzekutua në zonën e Livadheve në Shkodër, aty ku trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të hëne i vrarë me armë zjarri. Gazetarja Emi Kalaja, në një lidhje direkte me Klan News tregoi se 32-vjeçari është vrarë me 5 plumba. Pas ekzekutimit, ai është tërhequr nga autorët rreth 3 metra më tutje, tentativë kjo me gjasë për të fshehur trupin.

“Endri Mustafa është sjellë këtu dhe është vrarë dhe ka 5 plumba në trup. Pas ekzekutimit trupi është spostuar disa metra larg. Nga rruga ku ndodhen gëzhojat është zhvendosur të paktën 3 metra, duke tentuar ta fshihnin. Në afërsi të trupit është lënë dhe një armë, pistoletë, e cila në brendësi kishte karikatorin me 7 fishekë. Nuk dihet nëse arma është e autorëve apo e viktimës”, tregoi gazetarja.

Ndërsa duke iu referuar dëshmisë së nënës së tij, e cila e kishte denoncuar të birin të zhdukur në polici, Mustafa kishte dalë nga shtëpia pas një mesazhi që kishte marrë në telefon. 32-vjeçari dyshohet se u ekzekutua disa orë më pas.  

“Ai është njoftuar që të dalë nga shtëpia përmes një mesazhi dhe që nga ai moment është zhdukur. Nuk ka dalë me makinën e tij, por është pritur jashtë banesës. Këto janë të dhënat që ka treguar e ëma në polici. Prej 3 ditësh ai rezultoi i zhdukur. Sa i përket kohës kur është vrarë, sipas grupit hetimor, ai mund të jetë vrarë rreth 2 ditë më parë, duke qenë se në trup janë vërejtur shenja dekompozimi. Duke qenë se është gjetur vetëm sot, rreth orës 9, ai dyshohet të jetë vrarë disa orë pasi është zhdukur. Në Shkodër njihej si një person që kishte probleme me drejtësinë. Ai ka qenë i arrestuar më parë për plagosje me armë zjarri, por edhe për një arsenal armësh të gjetur në banesën e tij”, shtoi gazetarja./tvklan.al