Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës organizoi ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për kryetaren e Qytetit të Shkupit Znj. Danela Arsovska, me motivacionin:  Për kontributin e shquar dhe përkushtimin në fushën e politikës, ekonomisë dhe aktivizmit shoqëror, si dhe për angazhimin e saj të palodhur në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe promovimit të bashkëjetesës, zhvillimit dhe multikulturalizmit në drejtimin e Qytetit të Shkupit e më gjerë.

Në këtë ceremoni morën pjesë të ftuar, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorë dhe diplomatë. Presidenti i Universitetit Mesdhetar, akademiku Anastas Angjeli si rekomanduesi i parë për dhënien e këtij titulli, vlerësoi lidershipin dhe formimin e znj. Arsovska.

Anastas Angjeli, President i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë: Lidershipi i znj. Arsovska është një dëshmi e asaj që mund të arrihet kur diversiteti dhe gjithëpërfshirja vendosen në qendër të qeverisjes. Nga zgjedhja e saj historike si gruaja e parë që drejton qytetin e Shkupit, deri te përpjekjet e saj për të ndërtuar një qytet që kremton trashëgiminë e tij multikulturore, ajo ka dëshmuar vazhdimisht se uniteti është themeli i zhvillimit të qëndrueshëm në një shoqëri të larmishme.

Ndërsa Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Adrian Civici, gjithashtu theksoi se znj. Arsovska ka qenë gjithashtu një mbrojtëse e zhvillimit urban gjithëpërfshirës.

Adrian Civici, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë: Përpjekjet e saj shtrihen përtej nismave kulturore. Kryetarja Arsovska ka luajtur një rol kyç në promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe kohezionit social.

Në fjalën e saj Danela Arsovska, falenderoi Universitetin Mesdhetar për vlerësimin duke nënvizuar se lidhja e Shkupit me Tiranën është një lidhje e fortë e cila do te vijoje edhe më tej.

Danela Arsovska, Kryetare e Qytetit te Shkupit: Si fillim falenderoj profesor Anastas Angjelin dhe Universitetin Mesdhetar. Jam e nderuar që jam sot këtu jo vetëm si dikush që është e njohur për lidershipin, por edhe për ndërtimin e urave të miqësisë mes dy qyteteve, dy kombeve dhe për të ndihmuar që marrëdhëniet tona të ndërtuara të forcohen përgjithmonë.

Klan News