Mesha e Dritës, kështu e quajt mesha në nder të të ndjerit Papa Françeskut, që u mbajt në Kishën Katolike “Shën Pali” dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në Tiranë, mesha u drejtua nga Kryepeshkopi i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, kur përpos ritualeve liturgjike kumtoi vlerësime dhe mirënjohje për kontributin e Atit të Shenjtë në Kishën Universale.
“Papa ynë i dashur Françesku, na ka dëshmuar afrimitetin e tij me ato të cilat janë pikërish periferi të Kishës dhe të shoqërisë. Ai e ka nxitur mbarë kishën në misionin për të çuar Ungjillin deri në skajet e botës dhe për të ofruar mëshirën hyjnore të gjithëve”, u shpreh Imzot Arjan Dodaj.
Meshën e mbylli me një mesazh që vetë Papa Françesku e ka ndarë gjatë takimeve me Imzot Arjan Dodaj.
“Dëshiroj t’ju jap një këshillë që Papa shpesh here ma thoshte në mënyrë personale, asgjë e askush mos të vjedhë gëzimin dhe buzëqeshjen”, tha Imzot Arjan Dodaj.
Ishin të shumtë besimtarët që ndoqën meshën duke u lutur për shpirtin e Atit të ndjerë.
“Lutemi për shpirtin e Papa Françeskut”, tha një besimtar.
“Të shkojë tek Zoti, afër Zotit”, tha një besimtare tjetër.
Mesha në Shkodër u drejtua nga Famulltari i Shkodrës Dom Vlash Palaj, në fjalën e tij para besimtarëve u shpreh se pas gëzimit të Ringjalljes, sot kemi një lajm te trishtë siç është ai i ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
Një mesazh prekës për ndarjen nga jeta e Atit të Shenjtë e pati edhe kardinali Ernest Troshani, i cili tha se Papa Françesku ishte gjithmonë në mbrojtje të fëmijëve, grave, të varfërve dhe njerëzve të prekur nga luftërat.
Më herët për vdekjen në moshën 88 vjeçare të Papa Françeskut reaguan edhe Kisha Ortodokse e Shqiperisë dhe Komuniteti Mysliman.
Tv Klan