Një studim i kryer nga një spital gjerman, pas analizimit të 45 pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët kanë qenë në terapi intensive, pretendon se ata të cilët kishin nivele të ulëta testosteron, ishin më të rriskuar në përballimin e luftës me virusin.

Sipas këtij studimi, nivelet e hormonit ndihmojnë imunitetin e trupit, e në rastet kur testosteroni është në nivele të ulëta, imuniteti i trupit bie. “Daily Mail” shkruan se kjo mund të çojë në atë që studiuesit e kanë quajtur “stuhi të citokinës”, e cila ndodh kur sistemi imunitar del jashtë kontrollit ndërsa përpiqet të vrasë patogjenin. Kështu fillon të dëmtojë vetë trupin dhe nëse lihet i pakontrolluar, mund të jetë edhe fatal për pacientin.

Studiuesit morën në analizë 45 pacientët e parë të konfirmuar me Covid-19  të pranuar në ICU në Qendrën Mjekësore Universitare Hamburg-Eppendorf. 35 ishin meshkuj dhe 10 ishin femra, ku prej tyre 7 kishin nevojë për oksigjen dhe 33 prej tyre u futën në terapi intensive. Nga këta pacientë, 7 meshkuj dhe 3 femra humbën jetën në përballjen me koronavirusin.

Nivelet e hormoneve të secilit pacient u matën në ditën e tyre të parë të shtrimit në spital, para se të merrnin mjekim. Mostrat nga pacientët me Covid-19 u testuan për 12 hormone, duke përfshirë testosteronin dhe dihidrotestosteronin.

Testosteroni është thelbësor në mënyrën se si trupi inicion dhe përgjigjet për të luftuar viruset. Studiuesit dolën në përfundimin se hormoni luan një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në imunitetin e burrave, pasi është hormoni kryesor i seksit mashkull.

Nga pacientët meshkuj të prekur nga koronavirusi, rezultoi se më shumë se 68.6% e tyre kishin nivele të ulëta të testosteronit. Nga ana tjetër, 60% e pacientëve femra kishin nivele të larta të testosteronit. Ndërsa nivelet e ulëta të testosteronit nuk mund të kontrollojnë përgjigjen imune tek burrat, studimi zbuloi se tek pacientët femra, nivelet më të larta të testosteronit ishin të lidhura me një përgjigje më të fortë inflamatore.

Profesor Gülsah Gabriel nga Instituti Leibniz për Virologji Eksperimentale në Hamburg, i cili ishte i përfshirë në hulumtim, për “Daily Mail”, u shpreh: Nga këta pacientë që u studiuan, ata të cilët ndërruan jetë, kishin nivele të ulëta testosteroni.

Sipas grupit studiues, nivelet e ulëta të testosteronit tek burrat duket se janë një faktor risku për këtë virus, e madje ndikonte në fatalitetin e pacientëve meshkuj pas infeksionit të rëndë që kalonin.

Ali Daneshkhah, një studiues pranë Universitetit Northwestern, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim, shpjegon: Kjo është ajo që duket se vret një shumicë të pacientëve me Covid-19 dhe jo dëmtimi i mushkërive nga vetë virusi.

Duke komentuar mbi studimin e tyre, i cili nuk është shqyrtuar akoma nga akademikë të pavarur, mjekët thonë: Me SARS-CoV-2 që vazhdon të infektojë njerëzit në të gjithë botën, u raportua vazhdimisht se burrat me Covid-19 janë në rrezik më të lartë për simptoma më të rënda, madje dhe më të rriskuar për vdekshmëri më të madhe se femrat, pavarësisht moshës së tyre. /tvklan.al