Meshkujt steril, shumë shpejt do të mund të kenë fëmijën e tyre biologjik, falë një teknike të re të zhvilluar nga shkencëtarët, të cilët kanë arritur të krijojnë qelizat e spermës në laborator.

Siç raporton gazeta britanike “Daily Mail”, shkencëtarët në Universitetin Mjekësor Nanjing të Kinës, kanë arritur që të prodhojnë në laborator spermën e minjve. Jo vetëm kaq, por ata e kanë përdorur atë për të fertilizuar vezët që çoi në lindjen e një miu të shëndetshme.

Grupi i shkencëtarëve përdorën qeliza embrionale, sëbashku me një koktej kimikatesh, hormonesh dhe qeliza testikujsh për t’i shndërruar më pas në “spermatide” (fazë e hershme e spermës në gjendje për të fertilizuar vezët).

Ekspertët besojnë se ky është studimi më bindës sa i përket idesë për të përdorur qelizat embrionale që derivojnë nga lëkura e njeriut për të krijuar spermën e tij, për ta përdorur atë më pas për trajtim fertiliteti.

Ata po planifikojnë që shumë shpejt të nisin testet për krijimin e spermës njerëzore, që nëse rezultojnë të suksesshme, do të mund ta përdorin në klinikat e fertilizimit artificial IVF, brenda 10 viteve të ardhshme.

Qelizat që u përdorën për realizimin e këtij ekperimenti u morën nga embrionet, por nëse përdoren qelizat e lëkurës së një mashkulli si material fillestar për krijimin e spermës së re, kjo do të bëjë të mundur që ai të ketë fëmijët e tij biologjikë.

Eksperti Jiahao Sha, i cili e drejtoi këtë studim, tha se puna e tij është tepër premtuese për trajtimin e meshkujve steril.

Këto të dhëna, sipas “Daily Mail”, ngjallin shpresa tek mijëra meshkuj që janë të dëshpëruar për të patur fëmijë.  /tvklan.al