Mësim me dritare të hapura, ose ajrosje 5-6 herë gjatë mësimit



Mësim me dritare të hapura, ose ajrosje 5-6 herë gjatë mësimit

16:13 17/01/2021

Teksa shumica e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme rikthehen nesër në bankat e shkollës, Ministria e Arsimit i kujton institucioneve arsimore që gjatë kohës së mësimit, dritaret duhet të mbahen të hapura, ose të paktën të ajrosen disa herë gjatë kohës së mësimit, duke iu përgjigjur kështu shqetësimit të prindërve në këto ditë të ftohta.

Shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Prandaj, duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndryshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës. Më saktësisht, në të shprehet qartë se: “DRITARET DUHET TË MBAHEN TË HAPURA OSE TË PAKTËN TË AJROSEN 5-6 HERË GJATË KOHËS SË MËSIMIT”.

Prandaj kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve”, thuhet në një njoftim të Ministres së Arsimit, Evis Kushi./tvklan.al






Të ngjashme