Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se u vendos mësim online për studentët për shkak të rritjes së numrave të infektimeve. Kreu i qeverisë deklaroi se nuk është ndaluar mësimi, por u zgjodh mësimi në distancë për shkak se të rinjtë kanë një rol shumë të madh në transmetimin e sëmundjes.

Sa i përket konvikteve, Rama tha se ata që nuk do të duan që të qëndrojnë më aty kur të hapen, do t’u rikthehen paratë.

“Kjo situatë është lufte dhe jo një situatë ku mund të aplikosh në afatgjatë, këto masa nuk vijnë si rezultat i dëshirës. Këto vijnë si rezultat i kurbës së numrave. Në të gjithë vendet që flasim, mësimi bëhet online. Nuk kemi ndaluar mësimin, kemi thënë që do të bëhet në distancë për shkak se të rinjtë luajnë një rol shumë të madh negativ në transmetimin e infeksionit për shkak se shumica e tyre janë asimptomatikë dhe për shkak se janë të pritur që të mos respektojnë me rigorozitet masat dhe marrin në qafë  njerëzit më të rritur të familjes. Natyrisht që tarifat e paguara për konviktet do të mbahen për muajt e tjerë nëse vijnë në konvikt ose do t’u kthehen një për një se nuk është hotel privat. Ajo që është e sigurt është që nuk po bëjmë asgjë të veçantë dhe asgjë befasuese nga ç’po bëjnë të tjerët. Kjo është një histori ku të gjithë punojnë duke hedhur çdo ditë nga një hap. Askush nuk bën plane afatgjatë. Shikoni Francën. U bë çdo përpjekje për të shmangur këtë që ndodhi”.

Kryeministri u shpreh se duhet shmangur me çdo kusht një mbyllje e përgjithshme dhe e pjesshme.

Duhet të shmangim me çdo çmim mbylljen e përgjithshme, apo qoftë edhe mbylljen e pjesshme të një zone. Çmimi nuk është aspak i lartë. Çmimi është të vëmë maskën. Një pjesë e kanë bërë maskën si shall. Të vemë maskën, të  ruajmë distancën dhe të evitojmë vendet ku ka njerëz. Duket sikur nuk ndodh, por aty ndodh”, tha Rama. /tvklan.al