Mësime nga Lindja e Gjermanisë

Mësime nga Lindja e Gjermanisë

08:53 05/10/2019

Problemet e Lindjes së Gjermanisë kanë mbërritur në qendrën e politikës gjermane. Kancelarja Merkel tha se ka përfunduar ribashkimi i Gjermanive, por jo i gjermanëve. Auron Dodi për ndërgjegjësimin e ri për Lindjen.

Qytetarët duhet të mbajnë përgjegjësi vetjake për vendimet e tyre. Hedhja e fajit për çdo gjë shtetit, çon në mjerim. Me këto fjalë iu drejtua kancelarja Angela Merkel gjermanëve nga Kieli në veri të Gjermanisë, ku dje u përkujtua 29 vjetori i ribashkimit të Gjermanisë.

Deklarata e kancelares u drejtohet si gjermanoperëndimorëve, ashtu edhe gjermanolindorëve. Në pjesën perëndimore të Gjermanisë, përballë presioneve të epokës globale, njerëzit ankohen se nuk orientohen qartë për vendimmarrje nga elitat, nga shteti. Në Gjermaninë Lindore pakënaqësia për problemet, sidomos të ribashkimit shprehet deri në urrejtje ndaj më të dobtëve dhe ndaj të huajve. 

Zhgënjimi me politikën, sado legjitim, nuk duhet të pranohet si shkak për të kërcënuar ata me ngjyrë, me fe, seks ose orientim tjetër seksual, tha Merkeli. Ajo u shpreh e gatshme për debat të hapur. Si dhe që të pranohen kërkesat e forta drejtuar politikës. 

Kancelarja tha që ribashkimi i Gjermanive ka përfunduar. Por pranoi se nuk ka përfunduar deri sot ribashkimi i gjermanëve. Sipas një raporti për gjendjen e ribashkimit gjerman, janë më pak se 40 përqind e gjermanolindorëve që mendojnë se ribashkimi ia vlejti. Kurse me demokracinë, janë të lumtur më pak se gjysma e gjermanëve.

Angela Merkel mban fjalimin në Kiel, 03.10.2019

Angela Merkel mban fjalimin në Kiel, 03.10.2019

Çfarë nuk ka ecur si duhet me Gjermaninë Lindore?

Kancelarja Merkel citoi dje që fuqia ekonomike e pjesës lindore të Gjermanisë gati është dyfishuar në krahasim me vitin 1990.  Atëherë fuqia ekonomike e pjesës lindore të Gjermanisë ishte vetëm 43 përqind e fuqisë perëndimore. Sot ka arritur 75 % të fuqisë së pjesës perëndimore. 

Njëkohësisht, në mediat gjermane shkruhej këto ditë se megjithatë gjermanolindorët nuk jetojnë shumë më mirë se polakët apo çekët. Kjo megjithëse Gjermania perëndimore ka transferuar 1,6 bilionë euro në Lindje të Gjermanisë në këto 30 vjet. Çfarë nuk ka ecur si duhet me Gjermaninë Lindore?

Tri vendime kryesore për mënyrën si u krye ribashkimi shihen zakonisht bashkëpërgjegjëse për problemet. Studiuesi Philipp Ther, që ka shkruar librin “Fundi tjetër i historisë. Për transformimin e madh” i përmbledh, së pari në vendimin politik të qeverisë Helmut Kohl, që Dojçmarka të këmbehej me Markën Lindore (Ostmark) në kursin 1 me 2. Jo një me shtatë, siç i përgjigjej fuqisë reale të ekonomisë gjermanolindore. Mbivlerësimi artificial i monedhës gjermanolindore bëri që industria gjermanolindore të mos konkurronte dot me Perëndimin. Eksportet gjermanolindore u shtrenjtuan katërfish, në krahasim me vitin 1988. Thuhet se qeveria Kohl e mori këtë vendim për të shmangur emigrimin masiv nga Lindja. Por që nuk e pengoi dot. 1.4 milionë vete ikën nga Lindja brenda pak vitesh.

Së dyti, goditje ekonomisë së Gjermanisë Lindore i dha liberalizimi i menjëhershëm. Fakti që brenda natës asaj ia hoqën të gjitha barrierat mbrojtëse tregtare. Me ribashkimin me pjesën perëndimore, ajo iu ekspozua plotësisht konkurrencës së Komunitetit Evropian. Gjë që nuk e përballoi dot.

Deutschland Brandenburger-Tor 1990 (imago/F. Berger)

Së treti: rezultoi që privatizimi radikal nga Shoqëria Treuhand, e mirëbesimit, shkatërroi strukturat e shumë qyteteve të mesme gjermanolindore. Ato jetonin prej fabrikave që kishin pranë. Çmimin e privatizimit radikal ato e paguajnë edhe sot.  

Me konceptet neoliberale të viteve 90, shoqëria Treuhand shiti brenda dy vjetësh 10.000 sipërmarrje të Gjermanisë Lindore, nga 12.500 që kishte gjithsej për shitje. Këto punësonin katër milionë vetë. Ther thotë se presioni për të shitur kaq shumë sipërmarrje shtetërore, uli çmimin e tyre. Dhe nga 600 miliardë marka fitim që pritej, në fund pati 270 miliardë marka humbje. 

Mbyllja masive e sipërmarrjeve të shitura dhe pasojat

Më kujtohet shumë mirë një bisedë që pata në vitin 1993 me njërin nga menaxherët e Shoqërisë Treuhand në zyrën e tij në Berlin. Ai më tha se ishte i lumtur që e kishte plotësuar kushtin për shitje: që sipërmarrjet shtetërore ua kishte shitur privatëve që kishin plane zhvillimi për to.     

Por studiuesi Ther kujton që shumë nga sipërmarrjet e shitura u mbyllën nga pronarët e rinj. U ruajt vetëm një në katër vende pune. Më tej: edhe fakti që me përjashtim të nëpunësve shtetërorë që ndërruan sistemin, elita gjermanolindore nuk u krijua në Lindje, por erdhi nga Perëndimi – ka lënë gjurmë. Ndjesinë e qytetarit të klasit të dytë e kanë rreth 60 përqind e gjermanolindorëve.

Të gjitha këto, gjermanolindorët i përjetuan si shok. Njerëzit nuk e ndoqën ribashkimin. Megjithëse ekonomikisht ribashkimi ishte i suksesshëm, dhe gjermanolindorët jetojnë më mirë se në vitet 1990.

Shtete të tjera, si p.sh. Polonia dhe Çekia fillimisht i mbajtën në shtet sipërmarrjet e mëdha shtetërore. I privatizuan ato vetëm gradualisht. Zhvlerësimi i monedhës vendase gjithashtu e ruajti më mirë fuqinë konkurruese të ekonomive të tyre në epokën paskomuniste.

Fabrikë e prodhimit të motoçikletave, Zschopau, RDGJ

Fabrikë e prodhimit të motoçikletave, Zschopau, RDGJ

Politika qendrore gjermane mendon për Lindjen

Mund të thuash që gjermanët ankohen duke u nisur nga një nivel i lartë mirëqënieje. Shtete të tjera ish-komuniste kanë probleme shumë më të mëdha ekonomike e stabiliteti politik, krahasuar me Gjermaninë Lindore. Por ja që kjo është gjendja psikologjike në Gjermani aktualisht. 

Politika tashmë është e ndërgjegjshme. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Saksoni dhe në Brandenburg, ku partitë tradicionale CDU dhe SPD e mbrojtën me humbje kryesimin përballë populistëve të AfD, duket se e kanë vënë në mendime Berlinin. Kancelarja Merkel ka kërkuar edhe një kuptim më të mirë nga gjermanët për Gjermaninë Lindore. Politikanë të tjerë, si ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer treguan dje madje se janë nxjerrë mësime nga pakënaqësia në Lindje e po merren masa.

Gazetës Bild Seehoferi i tha se për afërsisht 10 vjet, kushtet e jetës mes Lindjes dhe Perëndimit të Gjermanisë do të jenë barazuar. Do të ketë barazi jo vetëm mes Lindjes dhe Perëndimit të Gjermanisë: strukturat e dobëta rajonale do të eleminohen në të gjithë Gjermaninë. 

Kjo do të arrihet duke përmirësuar infrastrukturën, veçanërisht në Lindje – që njerëzit të jetojnë atje ku duan, pasi do të kenë pranë shkollën e spitalin. Pra duke investuar për të eleminuar probleme gjithëgjermane. Do të arrihet edhe me zhvendosje institucionesh në Lindjen e Gjermanisë. Siç po bëhet në Saksoni, me ngritjen e një shkolle për gjuhët e huaja për policinë, siç po bëhet në në aeroportin Lajpcig/Halle, me ngritjen e një agjencie për sigurinë kibernetike. Mbetet që frytet e angazhimit të ri gjermanolindorët t’i ndiejnë pa kaluar breza./DW

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT