Në një lidhje direkte në Skype, në programin “Rudina” në Tv Klan foli ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini. Ajo u shpreh se për sa i përket mësimit për nxënësit në këto ditë, ku mësimi nëpër shkolla është pezulluar për shkak të koronavirusit, po punohet në dy forma.

Besa Shahini: Ne po punojmë në dy forma, forma e parë është një komunikim përmes rrjeteve sociale ose emailit, apo çfarëdo forme tjetër, ku mësuesit po rrinë në kontakt me nxënësit e tyre, duke ju dërguar edhe detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjnë, instruksione për leksionet që duhet t’i shohin orientime të ndryshmë për pjesët e librave që duhet t’i lexojnë. Po marrin edhe detyrat e shtëpisë të kryera nga nxënësit, ata po i vlerësojnë dhe po i kthejnë mbrapa. Kjo është forma e parë, kurse forma e dytë është përmes video inçizimeve të leksioneve të ndryshme për klasë të ndryshme, të cilat transmetohen jo vetëm në RTSH, por i kemi edhe në kanalin youtube i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, por edhe tek paltforma Akademi.al.

Sipas Shahinit, deri tani rreth 80 % e nxënësve janë në komunikim me mësuesit e tyre.

Besa Shahini: Me komunikimet përmes rrjeteve sociale, të martën në raportimin e parë që kemi pasur, kishim rreth 60% të nxënësve në komunikim më mësuesit e tyre, sot jemi në 80 %. Nuk jemi ende në 100 % dhe nuk besoj se është e mundur te shkojmë në 100 %, po shpresoj që ata që nuk kanë teknologjinë informative në shtëpi që mund ta përdorin për t’u lidhur me mësuesit e tyre, po i shohin së paku leksionet në RTSH. Por po më jep shpresë rritja e numrit të nxënësve, që është në komunikim me mësuesit  dhe po shpresoj që do arrijmë numrin maksimal të mundshëm nesër ose pasnesër. /tvklan.al