Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar në rrjetet sociale pasi Ministria e Shëndetësisë vendosi që nga 1 Dhjetori të mbyllen pjesërisht shkollat.

Basha thotë se Rama nuk ka asnjë plan dhe se ka humbur kontrollin e pandemisë. Kreu i demokratëve i kujton kryeministrit deklaratën e disa ditëve më parë se nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollat sepse “fëmijët nuk të infektojnë me koronavirus”.

“Dje Rama deklaroi se nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollat sepse “fëmijët nuk të infektojnë me koronavirus”. Ndërsa sot shpalli mbylljen e pjesshme të shkollave. Rama e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë dhe as që ia ka idenë se çfarë duhet bërë. Rama nuk ka asnjë plan. Dhe pa plan, nuk mund ta fitosh luftën kundër pandemisë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë Rama që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër”, shkruan Basha.

Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë kësaj të mërkure se nga 1 Dhjetori mësimi në sistemin parauniversitar do të kalojë në skenarin e dytë, mësim online dhe prezencë fizike në shkolla./tvklan.al