“Lufta kundër koronavirusit nuk ka kombësi dhe nuk mund t’i lerë hapësirë përllogaritjeve egoiste. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me gjestin e tij të vogël dhe të madh, u mësoi liderëve europianë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e Europës”. Kështu e nis artikullin e saj italiania Open, duke vlerësuar dërgimin e 30 mjekëve e infermierëve në Itali, për të përballuar luftën me koronavirusin.

“Shqipëria ka dërguar një skuadër prej 30 mjekësh dhe infermierësh për të ndihmuar Lombardinë në luftën e saj më koronavirusin. Një ekip i vogël sigurisht, por absolutisht i papritur dhe mbi të gjitha i paimagjinueshëm nga ana e një shteti që gjendet ende mes mijëra vështirësive, duke nisur që nga rindërtimi pas tërmetit të tmerrshëm të Nëntorit 2019. E di mirë edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, që e shpjegoi me një italishte për ta pasur zili, sa i dhimbshëm ishte ky xhest“, shkruan në artikullin e saj media italiane, teksa citon fjalët e Kryeministrit Rama:

“Nuk jemi pa memorie, nuk mund të mos t’i tregojmë Italisë që Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin kurrë një mik në vështirësi. Sot jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet të fitojë dhe do ta fitojë këtë luftë edhe për ne, për Europën dhe për gjithë botën”

Pikërisht kjo Europë, shkruhet më tej në artikull, duhet të marrë shembull nga bujaria shqiptare.

“Një xhest europian, i një shteti që shpreson që një ditë të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por që dukshëm me një shpirt që shumë, sidomos në veri të kontinentit, duket se e kanë harruar”.

Në fund, shkrimin portali italian e mbyll sërish me citim të Kryeministrit Edi Rama.

“Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe shtete të pasura i kanë kthyer shpinën të tjerëve. Por ndoshta, është edhe sepse ne nuk jemi të pasur, por as pa memorie, nuk mund të lejojmë që të mos i tregojmë Italisë që Shqipëria dhe shqiptarët nuk do ta braktisin”./tvklan.al