Pranë rinovimit tek Barcelona

Ndonëse media të ndryshme raportojnë se nga PSG ka mbërritur një ofertë faraonike për Lionel Messin, në Barcelonë janë gjithnjë e më të bindur se ai do të rinovojë. Klubi katalanas po përpiqet të përshpejtojë “shenjtërimin” e kapitenit të tij.

Sipas Tv3, Joan Laporta është takuar me Jorge, babain dhe agjentin e yllit argjentinas, për të filluar prezantimin e një negociate. Për momentin, presidenti i ekipit katalanas e ka të pamundur të paraqesë një ofertë zyrtare, sepse është ende në pritje të kontrollit financiar të klubit, por vullneti për të arritur një marrëveshje është.

Ylli i Barçës do të donte një kontratë 10-vjeçare, që do ta lejonte atë të luante edhe disa sezone në “Camp Nou”, para se të provonte një përvojë në MLS. Pasi të “varë këpucët në gozhdë”, ai planifikon t’i bashkohet zonës sportive të Barcelonës, me rol drejtuesi.

Por jo vetëm kaq: Jorge Messi ka dhënë garanci për gatishmërinë e djalit të tij, se pranon ta ulë rrogën, por me kushtin që ato para të përdoren për të sjellë një emër tjetër të madh, me të ardhme të sigurt si, për shembull, Haaland.

Gjithashtu, përpjekja për të rikthyer Neymar nuk do të ishte keq. Brazilianit do t’i skadojë kontrata me PSG më 2022, nuk ka rinovuar ende dhe në Katalonjë këmbëngulin se ai po pret lëvizjet e Barçës.

Tv Klan