Në “Stop” ka mbërritur një informacion, se në gjimnazin “16 Shtatori” në Shijak disa mësues janë në izolim, pasi janë prekur nga Covid-19. Drejtori i shkollës e pranon këtë fakt dhe tregon, se edhe kontaktet e afërta të disa mësuesve janë në karantinë.

Ai thotë, se orët janë zëvendësuar nga arsimtarë të tjerë, madje, duke i marrë edhe nga shkolla 9-vjecare. Sipas tij praktikantët nuk kanë ardhur ende, pasi nuk janë miratuar nga Ministria e Arsimit.

Drejtori: Një është diagnostikuar me covid, XXXX, që ditën e parë nuk ka ardhur në shkollë, është në shtëpi e diagnostikuar pozitiv e të gjitha. Mësuesit e kontaktit të afërt janë lënë në shtëpi.

Gazetarja: Në total, sa mësues keni sot, që nuk janë duke marrë pjesë në procesin mësimor?

Drejtori: Kontakt i afërt dhe zysha e anglishtes. Normalisht jam duke u munduar me aq sa mundemi ne, që të fusim mësues të tjerë. Zysha e historisë shkon e jep histori, zysha e letërsisë, shkon e jep letërsinë, aq sa më lejon orari. Kam marrë dy zysha nga shkolla 9-vjeçare, duke qenë, se praktikantët akoma nuk na kanë ardhur, sepse nuk janë miratuar kuotat nga ministria. Unë e marr zyshën e anglishtes, kemi biseduar me drejtoreshën, që të vijë, të bëjë ca orë mësimi për mua. Deri të hënën përveç zyshës, që është pozitive, XXX, të tjerat kthehen në punë.

Gazetarja: Për zyshën e anglishtes, meqenëse ka rezultuar pozitive, nuk duhet të zëvendësohet?

Drejtori: Duhet të zëvendësohet!

Gazetarja: E keni diskutuar me Zyrën Arsimore këtë?

Drejtori: E kam diskutuar më Zyrën Arsimore, që në çastin, që më konfirmoi pozitivitetin.

Gazetarja: Ajo mund të shkojë dhe një muaj në shtëpi.

Drejtori: Mund të shkojë edhe më shumë, nuk e dimë sa mund të zgjasë, urojmë shpejt. Edhe sot isha për punë të tjera dhe i thashë, ça do të bëhet dhe më tha, derisa të konfirmohen këto praktikantët dhe si do bëhen. Nuk e di, si e kanë procedurën.

Nga ana tjetër drejtoresha e ZA Shijak, thotë, se mësimi pa zhvillohet normalisht, pasi janë marrë të gjitha masat.

Gazetarja: Drejtoreshën, mund ta lajmëroni?

Punonjësja ZVA, Shijak: Drejtoresha është në një inspektim në një shkollë dhe do vonohet.

Gazetarja: Në gjimnazin “16 Shtatori” një mësues ka rezultuar pozitiv me Covid, mësuesja e anglishtes më saktësisht. Pse nuk keni marrë masa që ta zëvendësoni pasi nuk dihet se sa d të zgjasë mungesa e saj në shkollë.

Drejtoresha: Ju lutem drejtohuni me një kërkesë zyrtare! Masat janë marrë të gjitha.

Gazetarja: Çfarë nënkuptoni me masat janë marrë?

Drejtoresha: Patjetër që janë marrë të gjitha masat. Mësimi zhvillohet normalisht.

Gazetarja: Keni çuar një mësuese si zëvendësuese?

Drejtoresha: Aktualisht mbulohet me mësues të shkollave të tjera.

Gazetarja: Pse nuk keni zgjedhur një rrugë që të merrni një nga portali dhe ta zëvendësojë për periudhën 1-mujorë më shumë më pak?

Drejtoresha: Zonjë, ju lutem një kërkesë zyrtare!

Gazetarja: Drejtoresha më vjen shumë keq, por kjo është pyetja ime.

Drejtoresha: Zonjë do e merrni përgjigjen shumë shpejt! Një kërkesë zyrtare!

Gazetarja: Jeni në pritje të praktikantëve apo doni të kurseni buxhetin e shtetit që të mos zëvendësoni një mësues nga portali.

Drejtoresha: Ju lutem të gjitha kërkesat, që keni drejtohuni me një kërkesë zyrtare!

Gazetarja: Merrni mësues nga shkolla të tjera ndërkohë që ka mësues portali

Drejtoresha: Ju kërkoj ndjesë! Më duhet ta mbyll telefonin!/tvklan.al