Tema e kësaj të hëne në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka të bëjë me shkollat private dhe ato shtetërore.

E ftuar ka qenë edhe Etleva Merko, mësuese prej 17 vitesh, e cila ka punuar 10 vite në arsimin shtetëror dhe më pas kaloi në atë privat.

Arsyet e këtij vendimi ishin të shumëllojshme, por sipas saj kryesoret ishin kushtet e mira të punës dhe paga e mirë.


Etleva Merko: Unë vij nga një eksperiencë 17-vjeçare pune. 10 vite në arsimin shtetëror dhe prej 7 vitesh në atë privat.

Aldon Lipe: Pra ti e ke lënë shtetin? Çfarë ka ndodhur?

Etleva Merko: Kushte më të mira pune. Pagesë më e mirë kuptohet.

Aldon Lipe: Po përsa i përket shkollimit?

Etleva Merko: Edhe shkollimi, sepse metodat janë bashkëkohore. Mësimdhënia është në kushtet më të mira, ku shfrytëzohen të gjitha kabinat e kimisë, biokimisë. Kemi pjesën e mësuesëve profesionist, sepse çdo lëndë e bën mësues profesionist.

Aldon Lipe: Profesionist ka dhe në shtet tani.

Etleva Merko: Jam shumë dakord, por po marrë pjesën e ciklit fillor, ku mësuesi i ciklit të ulët duhet të bëjë të gjitha lëndët. Me përjashtim të anglishtes dhe fiskulturës që bëhen nga mësues profesionist. Edhe atë njëherë në javë e bën profesionisti dhe dy herë e bën mësuesi i ciklit të ulët. Përfshirë këtu edhe pjesën e artit pamor. Ndërsa, në pjesën e arsimit privat këto gjëra janë të ndara, ku mësuesi i artit pamor do bëjë artin pamor, kurse mësuesi i edukimit fizik ka tre orët gjatë javës që bën edukimin fizik.

Aldon Lipe: Dua të ndalem tek cilësia e mësimdhënies, ku është në privat apo në shtet?

Etleva Merko: Normalisht që është në privat. Unë thashë që e kam provuar dhe shtetin dhe privatin. Një mësues i mirëpaguar, normalisht që jep edhe më të mirën e vetes.

Aldon Lipe: Ndryshon filozofia e mësimdhënies?

Etleva Merko: Normalisht që po, sepse ka disa standarde.

Aldon Lipe: Është personale filozofia e mësimdhënies, varet nga mësuesi?

Etleva Merko: Edhe nga mësuesi varet. Të jesh mësues është art komunikimi. Në radhë të parë ti nuk je mësimdhënës. Përveç mësimdhënës do jesh edhe një njeri shumë i afërt me fëmijët. Do jesh gjithçka, do jesh prind. Për shembull, edhe në privat e kemi sistemin arsimor pak më të shtrirë në kohë. Nisemi në orën 8:00 dhe  mbarojmë në orën 15:30. Automatikisht ti do jesh edhe prind edhe mësues, do jesh edhe edukator. Do kryesh të gjitha rolet brenda kësaj dite.

Aldon Lipe: Ti je larguar nga shteti me një lloj revolte?

Etleva Merko: Nuk do thoja këtë. Ishte dëshira për të punuar në sistemin privat, pasi je më pranë kualifikimeve. Mësimdhënies bashkëkohore me metoda më të mira në tregun e punës. Ne punojmë me ‘smart board’, me pjesën e digjitalizuar të mësimdhënies.

Në fund, kur Aldon Lipe e pyet se çfarë do ta bënte atë të kthehej në shtet, Merko përgjigjet:

Kushtet e mira të një shkolle që ti të ndihesh vërtet mëseues dhe pjesa e pagës”. /tvklan.al