51 Mësues nga e gjithë Shqipëri janë përzgjedhur si “Mësues i Vitit 2021”, duke u vlerësuar me certifikata nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi për punën dhe kontributin e tyre të veçantë në mësimdhënie.

“Ndamë sot momente të bukura dhe emocionuese me “Mësuesit e Vitit” nga të gjitha zyrat vendore të arsimit parauniversitar. Falenderime pafund dhe mirënjohje për secilin prej tyre por edhe për të gjithë mësuesit tanë, për kontributin që japin çdo ditë në edukimin e brezave të rinj. Gëzuar festat dhe një vit të mbarë!”, shprehet Ministrja në statusin e saj në rrjete sociale.

Gjatë këtij aktiviteti Kushi është shprehur se momentet e festave të fundvitit janë më të mirat për të falënderuar dhe shprehur mirënjohje ndaj mësuesve, për punën që kanë bërë gjatë gjithë vitit.

Ajo u shpreh se mësuesit janë figura frymëzuese për nxënësit e tyre me anën njerëzore dhe profesionale që reflektojnë, ndaj dhe ka kërkuar nga të gjithë mësuesit në Shqipëri që të vijojnë të bëhen frymëzim për nxënësit e tyre jo vetëm me vlerat më të larta dhe integritetin profesional, por edhe me vlerat më të mira njerëzore./tvklan.al