Programi “Historia ime”, në Tv Klan e vendosi fokusin ditën e sotme tek një problem shqetësues siç është analfabetizimi. Sipas një raporti të Bankës Botërore rezulton se rreth 50% e 15 vjeçarëve në vendin tonë janë analfabetë funksionalë.

Për të diskutuar për këtë çështje e ftuar në studio ishte mësuesja e gjuhës shqipe, Natasha Kazmaj Kalemi. Ajo u shpreh se ka shumë punë për të bërë edhe nga ana e mësuesve. Nuk duhet që nxënësve t’iu jepet çdo gjë gati sepse në këtë mënyrë ata bëhen nxënës mekanikë dhe jo analitikë.

Sipas saj duhet që nxënësit të kryejnë vetë hulumtime, për të nxjerrë vetë informacionet që duhen. Gjithashtu Kalemi shton se një rëndësi mjaft e madhe duhet që t’i kushtohet edhe cilësisë së detyrave që nxënësit dorëzojnë.

Mirela Milori: Problemi është si t’i kthejmë këta, që kur të bëhet prapë testi i Pizës, mos na dalë prapë 50% analfabetë?

Natasha Kazmaj Kalemi: Ka punë për të bërë edhe nga mësuesit. Përveç teknologjisë që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht kur mundemi, ne duhet të fokusohemi që mos i’u japim gjëra gati. Kjo është ajo që ata duke mësuar mekanikisht, i ka bërë dembelë dhe vetëm fiksojnë diçka mekanikisht dhe nuk janë në gjendje të analizojnë vetë. Nëqoftëse ne një pjesë të tematikave, jo vetëm në lëndën e gjuhës, në të gjitha lëndët, gjeografi, histori, u themi të hulumtojmë vetë, kuptohet duke kontrolluar anën shkencore dhe kur të na dorëzojnë atë punimin, prandaj janë projektet, qoftë edhe brenda orës së mësimit. Nuk është e thënë që çdo mësim ta thotë mësuesi. Ne i kemi mësuar nxënësit pak gati, ua japim çdo gjë gati. Duke mos hulumtuar vetë, ata janë mekanikë dhe jo analitikë. Nëqoftëse ata hulumtojnë një sërë materialesh dhe arrijnë t’i nxjerrin vetë ato gjërat që duhen dhe informacionin që është konkretisht për t’u dhënë, ata nuk do të jenë më analfabetë funksionalë, Duhet dhe të kontrollojmë cilësinë, nëqoftëse unë i’a pranoj pa ‘ë’, me ‘e’ atë shkrimin, pa ‘ç’, ja anshakaloj apostrofin, një fjali që nuk është e artikuluar saktë, unë i them hajt s’ka gjë dhe shoh vetëm çfarë ka dhënë si përmbajtje, do të jetë ky rezultati./tvklan.al