Arsimtarja Nezike Merkaj Goxhaj nga Ballshi tregon në “Stop” se ka përfunduar studimet për cikël të ulët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në vitin 1986. Ajo ka punuar si mësuese për 33 vjet, por së fundi i vjen njoftim nga drejtoresha e shkollës “Ismail Klosi”, Lindita Ymeri se për 3 ditë duhet të dorëzojë diplomën ose do të pushohet nga puna.Në Universitet i thonë që është në rregull, por dokumentet origjinale janë asgjësuar për rifreskim…

“Kam 33 vite punë, së fundmi më ka ndodhur një incident. Diploma ime, pasi unë studimet i kam kryer në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për ciklin e ulët, del e pa konfirmuar nga ky universitet, domethënë e paregjistruar aty. Në bazë të verifikimit të kryer nga ZA e Ballshit, jam thirrur nga drejtoresha e ZA, por nuk më ka pritur, nuk më ka hapur derën dhe nuk kam marrë asnjë konfirmim prej saj. Shkoj tek drejtoresha e shkollës, ajo më komunikon lajmin e diplomës që nuk ekziston, nuk është regjistruar në Universitetin Aleksandër Xhuvani”.

Gazetarja: Si ka mundësi? A më thatë që keni mbaruar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në çfarë vitesh po flasim.

“Në vitin 83-86 dhe unë kam qëndruar shumë e qetë përballë saj, kam thënë që kjo është një absurditet, sepse unë kam një diplomë, e disponoj në duart e mia, edhe vërtetimin e notave gjithashtu. Drejtoresha thotë nuk e di, kjo është diçka shumë e rëndë për ju, nëse ju keni këtë problem atëherë i detyroheni shtetit prej 33 vitesh që t’i ktheni një borxh të madh. Pak e revoltuar edhe kam debatuar me të, duke i thënë që duhet t’i harroni këto fjalë prej meje, sepse unë arsimin e kam filluar më parë se ju, sepse në 83-in ka filluar për herë të parë arsimi i Ciklit të Ulët, ku kam studiuar bashkë me gjithë mësuesit e tjerë. Drejtoresha më tha që keni vetëm 3 ditë kohë për ta zbardhur këtë dokument”.

Por si e ndoqi më tej mësuesja Goxhaj këtë problem?

“Iu drejtova Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. I tregova dokumentet origjinale. Ata me mirëbesim më thanë je OK, por ne nuk kemi çfarë të të japim, sepse këtu dokumentet janë zhdukur, nuk ekzistojnë, është bërë një rifreskim. Por i thashë, mua po më thonë që do të pezullohesh nga puna, çfarë do të bëj? Sepse vetëm 3 ditë kohë ke dhe do të pushohesh nga puna… Më thanë është absurde, nuk ka arsye të pushohesh nga puna, ti ke një dosje të tërë. Ke disa njerëz, studentë me të cilët ke studiuar bashkë, mund t’i marrësh si dëshmitarë. I paraqes drejtoreshës së shkollës një kërkesë me shkrim që të më shtyhet afati i zbardhjes së diplomës time, për 10 ditë. Gjatë kësaj periudhe solla vetëm prokurën. Drejtoresha e pranoi prokurën, por nuk më bëri ndonjë sqarim, që të më thoshte kjo nuk është e vlefshme. Përkundrazi, ky dokument më thotë juristi është i pavlefshëm. Së fundmi mori Këshillin e Mësuesve, psikologen dhe thotë unë tani do të veproj në bazë të ligjit dhe ju do të pushoheni nga puna. Drejtoresha më kishte thënë edhe këtë gjë: Duhet të zhbëhet fjala “nuk është lëshuar”, të jepen disa argumente dhe ata më kishin dhënë plot argumente, duke thënë që dokumentet para 97-ës për të gjithë studentët që kanë studiuar pranë këtij universiteti janë zhdukur, nuk ekzistojnë. Jo nuk është nga rektorati, jo e duam me dokument letër, se e kisha në email, e duam me vulë të njomë, etj… Komunikoj me drejtoreshën e DAR-it Fier, e cila më thotë që mos u shqetësoni, ju do të jeni në punë, por ndërkohë do të vazhdoni edhe procedurat. Pas kësaj dite kam ardhur në shkollë dhe drejtoresha më ka komunikuar që duhet të përgatis një padi. Presioni ka qenë i vazhdueshëm dhe unë kam qenë shumë e stresuar, më është bërë si makth në fakt këto ditë shkolla, sepse 3 herë në ditë isha në drejtorinë e shkollës, prandaj iu drejtova juve. Ju faleminderit shumë, shpresoj të më zgjidhet problemi dhe të shpëtoj nga makthi i këtyre ditëve që kam kaluar”.

Duke qenë se prokura e posaçme e dorëzuar nga mësuesja tek drejtoria e shkollë ishte e pamjaftueshme, atëherë sëbashku me mësuesen Nezike Merkaj Goxhaj, gazetarja e “Stop” shkoi në shkollën “Ismail Klosi”.

Ato i dorëzuan drejtoreshës së shkollës Lindita Ymeri një dokument që vërteton që zonja ka hapur një çështje në Gjykatën Administrative. Pra ajo ka bërë kërkesë padinë lidhur me vërtetësinë e diplomës së saj, çka dhe justifikon qëndrimin e saj në punë, derisa të shprehet gjykata.

Nga ana e saj, drejtoresha Ymeri tha se

“kjo kërkesë padi ia ka dhënë të drejtën zonjës Nazike deri në zgjidhjen e plotë të situatës, që të mos ketë më problematikë”./tvklan.al