Mediat: Sulm në zemër të demokracisë amerikane

Sulmi i paprecedentë i mbështetësve të Donald Trump-it ndaj Kongresit Amerikan ka shtangur të gjithë botën. “Demokraci e thyer” është titulli që bie në sy nga e përditshmja franceze Le Figaro. “Trump, strategjia e kaosit” shkruan e përditshmja tjetër Liberation, ku e gjithë situata përshkruhet si absurde dhe e tmerrshme. “Sulm në zemër të demokracisë së Shteteve të Bashkuara”, shkruan e përditshmja gjermane Tageszeitung.

Liderë të ndryshëm botërorë reaguan me keqardhje ndaj skenave krejtësisht të pazakonta për vendim më demokratik të botës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu trishtimin për situatën, ndërsa presidenti Frank-Walter Steinmeier tha se mashtrimi, urrejtja, inatet dhe dhuna cënuan demokracinë amerikane që hap një kapitull të ri me marrjen e pushtetit nga Joe Biden.

Për presidentin francez Emmanuel Macron, ajo që ndodhi në Washington nuk është Amerika e vërtetë, ndërsa shprehu besimin tek miqësia me Shtetet e Bashkuara dhe tek vlerat e saj demokratike.

Edhe Boris Johnson, Kryeministri i Britanisë së Madhe, një mbështetës tradicional i Trump, tha se ai gaboi krejtësisht në nxitjen e protestuesve për mësymjen në Capitol Hill, duke shtuar se ishte i kënaqur për konfirmimin e Biden dhe që demokracia në fund triumfoi.

Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon i kërkoi Trump-it të mos udhëtojë në vendin e saj për të luajtur golf pasi as ai nuk do të përjashtohet nga masat për ndalimin e udhëtimeve jo thelbësore.

Reagime kundër dhunës ka pasur edhe nga Bashkimi Europian, NATO, Kina, Turqia, por bie në sy mungesa e një deklarate nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili gjithmonë ka qenë ndër të parët në urimin e fitoreve të Trump-it.

Tv Klan