Presidenti Ilir Meta thotë se nuk ka asnjë shans që zgjedhjet e 25 Prillit të shtyhen, edhe nëse kemi një përkeqësim të situatës nga pandemia.

“Zëro shans, zero mundësi. Ai me sjelljet e veta të papërgjegjshme vetëm mund t’i afrojë. E para, e dyta: Ai nuk ka asnjë të drejtë morale, sepse ka bërë një akt kriminal në të gjitha drejtimet dhe nuk do të ketë kurrë amnisti për atë që ka ndodhur me Teatrin Kombëtar, sepse në kulmin e  pandemisë, me gjendje të jashtëzakonshme, vajti atje futi 1500 policë kundër artistëve dhe shyqyr që nuk vdiq njeri. Tregoi qartë që nuk ka asnjë interes për shëndetin e njerëzve, e ka treguar qartë edhe tani. Ky nuk e ka fare shqetësim këtë, e ka thjeshtë për aktrime e rrëmuja etj etj, e ndërkohë  fut tendera sekretë këtej, fut PPP këtej. 25 Prilli është afati i fundit, ka mbaruar kjo histori. Me çdo gjë që të ndodhë, mbaroi historia e Shqipërisë, kaq, 25 Prill kjo është”.

I prerë, Presidenti thotë se nuk nxjerr më një dekret tjetër.

“Nuk nxjerr unë më dekret tjetër, sepse nxora një dekret nuk ma respektuan, tani mbaroi, këtë e kam vënë me konsensus unë, ka mbaruar kjo histori. Nuk ka, në zgjedhje do të shkojë Shqipëria. (Edhe me Covid) Me çdo gjë do shkojë. Ai nuk i shtyn dot. Të guxojë të bëjë lojëra, do ta shikojë. Ai dhe ata që do ta provokojnë Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Intervistën e tij me gazetarin Arian Çani, në “Zonë e Lirë” Presidenti e mbyll duke zbuluar dy qëllimet që ka Ilir Meta.

“Ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët: Ilir Meta ka vetëm një qëllim; në këtë vend të mbretërojnë shqiptarët dhe do të mbretërojnë ata përmes referendumit. Referendumi i parë është 25 Prilli, meqenëse se e bëri ftesën dje ai për referendum. Së dyti Ilir Meta do dhe është i bindur që duke mbretëruar shqiptarët edhe dëshmorët do të jenë të qetë, gjaku nuk bëhet ujë Çani. Lavdi dëshmorëve të atdheut, heronjve në gjithë kohërat që na e lanë këtë Shqipëri dhe që ne duhet ta zhvillojmë dhe ta mbrojmë nga kërcënimet e brendshme dhe nga kërcënimet e jashtme”. /tvklan.al