Presidenti Ilir Meta ka deklaruar këtë të enjte se do të jetë në Vlorë ditën e zgjedhjeve. Ai u shpreh se ka dështuar çdo skenar për fitimin e zgjedhjeve nga socialistët “pa ndeshje fare”.

“Se ç’po bën numri 8 në Vlorë, unë nuk e di. E di që kishte një skenar për të marrë 9 pa ndeshje fare, ky skenar është përvëluar dhe djegur. Për këtë kam njoftuar dhe përfaqësuesit e opozitës. Doni provë më të madhe se biseda telefonike para pak ditësh, ku Damiani u inkurajua për të bërë dhe një tërmet tjetër në Vlorë. Atje nuk ka burra Damiani, por atje ka burra pushke, kur bëhet fjalë për sovranitetin. Ju e kuptoni se çfarë mund t’iu bëjnë këtyre vagabondëve vajzat dhe grave shqiptare, sepse ata janë mësuar me çimka që janë dënuar dhe jashtë për trafikim vajzash. Presidenti as nuk i shet dhe as nuk i trafikon kurrë, por do mbrojë identitetin e vajzave dhe grave shqiptare. Këtë ta dijë ai dhe t’ia thotë edhe gurusë. Nesër e njoftoj Damianin për efekt transparencës jam në Vlorë prapë. Është i ftuar të vijë, po ja bëj këtë favor. Skenari është përvëluar, nuk ekziston ky skenar më.  Unë do të jem në Vlorë edhe ditën e numërimit, ta dinë të gjithë numëruesit, komisionerët e opozitës. Nëse i kanë marrë lekët e opozitës, le t’i mbajnë, por të kenë mendjen në mësim”, tha Presidenti Meta.

Kreu i shtetit e konsideron 25 Prillin provën e zjarrit, ku do të përvëlohen të gjithë ata që janë tallur me demokracinë.

“25 Prilli është prova e zjarrit për të gjithë, do të përvëlohen të gjithë ata që janë tallur. Demokracia dhe sundimi i ligjit nuk është lojë”, tha Meta./tvklan.al