Meta po sjell Inteligjencën Artificiale në 41 vendet e Europës, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian, duke filluar nga kjo javë. Gjithashtu kjo do të jetë e disponueshme edhe për 21 territore europiane, raporton Engadget.

Në njoftim, Meta është shprehur se i është dashur më shumë kohë për të sjellë këtë teknologji për përdoruesit europianë pasi po “lundron në sistemin e ndërlikuar rregullator”.

Kompania planifikonte që Meta AI të prezantohej në Europë që vitin e shkuar, por planet u pezulluan  pasi Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave i kërkoi që të vononte trajnimin e modeleve të gjuhës në përmbajtjet e shpërndara në Facebook e Instagram nga përdoruesit europianë. Një muaj pas kësaj, Meta tha se “si rrjedhojë e natyrës së paparashikueshme të mjedisit rregullator europian”, nuk do të prezantonte Llama, modelin e tij, në këtë rajon.

Meta AI do të shpërndahet në Europë duke integruar teknologjinë në aplikacionet Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger ku së shpejti do të shfaqet një rreth blu. Do të jetë i disponueshëm në 6 gjuhë dhe për momentin do të ketë aftësi të  kufizuara që lidhen kryesisht me mesazhet, por kompania thotë se shpreson që ta zgjerojë ofertën derisa të jetë “e barabartë me SHBA-në”.

Përdoruesit europianë do të mund ta përdorin Meta AI në bisedat në grup duke shkruar @MetaAI dhe më pas duke vijuar me pyetjen. ‘Chatbbot’-i mund të përdoret edhe për të shfaqur postime dhe video që iu interesojnë përdoruesve. Ata mund të kërkojnë edhe informacione duke përdorur Meta AI./tvklan.al