Përpara nisjes së seancës parlamentare, Presidenti Ilir Meta u ka bërë apel deputetëve që të tregojnë përgjegjshmëri në votimin për anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se duhet vepruar pa humbur kohë dhe në respekt të Kushtetutës.

“Të nderuar deputetë, sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë! Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese! Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë! Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij. Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë! Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED”, thotë Presidenti Ilir Meta

Kuvendi pritet të votojë sot 2 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. /tvklan.al