Vetëm dy javë përpara vendimit të Këshillit Europian për çeljen e negociatave, nga Berlini Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se shpreson që të jetë një vendim poztiv për Shqipërinë. Gjatë fjalës së mbajtur si i ftuar nderi i Bundestagut gjerman në Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit, kreu i shtetit tha se çelja e negociatave do të ishte një shtysë inkurajuese për adresimin edhe me të fortë të prioriteteve kyçe.

“Vetëm dy javë na ndajnë nga vendimi i rëndësishëm që pritet të merret nga Këshilli Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne lutemi që ky vendim të jetë pozitiv si për ne, ashtu edhe për fqinjin tonë Maqedoninë.  Brenda kësaj lutjeje qëndron dhe vetëdija e plotë për punën akoma më të madhe që duhet të bëjmë për të rritur cilësinë dhe standardet në të gjitha fushat e politikbërjes. Çelja e negociatave do të ishte një shtysë inkurajuese për adresimin edhe më të fortë të prioriteteve kyçe”.

Gjatë vizitës së tij në Berlin, Presidenti Meta u takua edhe me Presidentin e Bundestagut të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble. Në takimin dypalësh u diskutua për çështjet e sigurisë që kërcënojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe theksuan nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në këtë drejtim, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e evropian.

Tv Klan