Presidenti shqiptar takon Macron në Paris

Pas takimit që pati me Presidentin Emmanuel Macron, kreu i shtetit Ilir Meta shprehet besimplotë se Franca pavarësisht “JO”-së së Tetorit për hapjen e negociatave, mbështet aspiratën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë të dhënë për Radio France International, Presidenti Meta tha se politikisht duhet të jemi pjesë e plotë e unionit.

“Edhe pse në Tetor, Franca e deklaroi veten “jo në favor” për nisjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE. Përpjekje të bazuara në demokraci, zhvillim, stabilitet dhe bashkëpunim”.

Presidenti Meta ka shpjeguar edhe arsyet se përse sipas tij Shqipërisë iu mbyll dera nga Franca në 18 Tetor.

“Kjo nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t’u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave. Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj”.

Ndryshe nga Presidenti Macron që e cilësoi NATO-n në një gjendje të vdekjes së trurit, Ilir Meta e sheh aleancën si organizatën më të besueshme që punon, mbron e promovon lirinë dhe paqen në Europë e botë e cila tha se përballet me sfida të mëdha për të rifituar vendin e saj në një kontekst të vështirë global.

Tv Klan