Pak ditë më parë, Presidenti Ilir Meta reagoi ashpër kundër ndryshimeve kushtetuese që pritet të votohen në Kuvend më 30 Korrik. Këtë qëndrim, kreu i shtetit e përforcoi edhe mëngjesin e kësaj të marte, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku zgjodhi të përcillte një citim të ish-Presidentit amerikan, Abraham Lincoln.

“Mos ndërhyni në asgjë në Kushtetutë. Ajo duhet të ruhet, sepse është e vetmja mbrojtje e lirive tona”.

Meta është shprehur se nëse do të ketë ndryshime të njëanshme të Kushtetutës nga ana e tij do të konsiderohet një akt i papranueshëm, që për të përkthehet në përpjekje që synon të asgjësojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Mazhoranca dhe opozita do të mblidhen paraditen e kësaj të marte në Këshillin Politik për të diskutuar mbi propozimet për listat e hapura dhe koalicionet.

Ndërkohë, një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha në Kuvend se nismës për të ndryshuar Kushtetutën më 30 Korrik do t’i shkojë deri në fund dhe se presidenti nuk ka asnjë të drejtë mbi vendimin e parlamentit për ndryshimin e Kushtetutës./tvklan.al