Ish-Ministri i Jashtëm italian, Franco Fratini ja ka dalë të bëjë bashkë të majtë e të djathtë pavarësisht përplasjeve të forta që kanë shoqëruar politiken javët e fundit në Tiranë.

“Kemi kënaqësinë sot që t’ju vlerësojmë me Dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në mirënjohje të kontributit të spikatur për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin evropian dhe euroatlantik e në veçanti për lidershipin që ju keni treguar për procesin historik të lëvizjes pa viza të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian”, tha Presidenti Ilir Meta.

Vite më parë klasës politike shqiptare i kishte kërkuar të bashkëpunojë për të fituar nga koha që ka humbur. Edhe sot më optimist për të ardhmen europiane të Shqipërisë, Fratini adresoi të njëjtin mesazh.

“Pa unitet politik asnjë vend nuk mund të arrijë diçka dhe kjo është eksperienca ime si italian, si europian dhe duke iu drejtuar juve miqësisht, kjo është një pikë kyçe. Duke iu drejtuar sinqerisht unë mendoj që nuk ka asnjë pengesë për të ecur përpara në progresin e këtij vendi.”

Për ish-Ministrin e Jashtëm Italian përpara Shqipërisë dalin disa sfida mes të cilave më e rëndësishmja mbetet lufta kundër krimit e korrupsionit.

Tv Klan