Meta kritika KLGJ: Me këto ritme plotësohet në 2024

Pasi mori propozimet për emërimin e katër anëtarëve të rinj për Gjykatën e Lartë, Presidenti i Republikës ilir Meta ka pranuar emrat e dërguar nga KLGJ dhe i ka dekretuar ata. Në këtë mënyrë Gjykatës Së lartë do t’i shtohen Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi.

“Së bashku me këto 4 (katër) emërime të reja, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 7 (shtatë) anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së”, thuhet në deklaratën e Presidentit.

Më tej, kreu i shtetit ka kritika ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe thotë se me këtë ritëm, plotësimi i trupës gjyqësore për Gjykatën e Lartë do të realizohej në Mars të vitit 2024.

“Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë”, thotë Presidenti.

Meta i bën thirrje KLGJ-së që të angazhohet me seriozitet, për të vijuar me ritme më të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate të gjithë mbështetjen e nevojshme.

“Presidenti i Republikës, vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, është me rëndësi jetike për vendin, dhe lidhet direkt me integrimin Europian dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Plotësimi me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të shtetit Shqiptar, por nga ana tjetër përbën një çështje jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Anëtarët në Gjykatën e Lartë do të kenë një sfidë të madhe pasi kanë një numër të lartë çështjesh të mbartura, rreth 35 mijë të tilla që presin shqyrtim./tvklan.al