Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Pas dërgimit të dy emrave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Meta ka zgjedhur Përparim Kalon që të jetë pjesë e gjykatës më të rëndësishme në Shqipëri.  

Në bazë të listë përfundimtare të dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Përparim Kalo ishte renditur i pari me 90.29 pikë dhe i dyti Aleksandër Toma me 75.57 pikë.

Në një njoftim nga Presidenca bëhet me dije se Meta, “pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të ka vendosur që: Zoti Përparim Kalo emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”.

Një javë më parë Kuvendi i Shqipërisë, miratoi dhe emrin e Altin Binajt për anëtar në Kushtetuese. Tashmë Gjykata Kushtetuese është funksionale me 6 anëtarë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj dhe Përparim Kalo.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kusht për integrimin e Shqipërisë në BE dhe po ashtu është kërkuar me ngulm nga SHBA./tvklan.al