Presidenti dorëzon padi në Gjykatën Kushtetuese

Në kulmin e tensionit mes artistëve dhe policisë, në 2-vjetorin e marrjes së mandatit si President i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar personalisht Gjykatës Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Arsyeja që detyroi të ndërmerrte këtë hap duke shënuar dhe të parin rast që kreu i shtetit depoziton personalisht një kërkesë të tillë, thotë se ky ligj është shembulli i një krimi kushtetues, kulturor dhe kombëtar.

Ligji për shkatërrimin e Teatrin Kombëtar është një simbol, një kryevepër, ku si asnjëherë tjetër më parë, kryhet në harmoni të plotë një krim kushtetues, një krim kombëtar, një krim kulturor dhe e gjitha kjo vetëm në interes të asaj që mund ta quaj me shumë të drejtë jo “rule of laë”, por “rule of oligarchs”.”

Kërcënon se do t’i çojë përpara drejtësisë vendase dhe asaj ndërkombëtare ata që lanë vendin pa Gjykatë Kushtetuese e këtu përfshin dhe politikanët vendas dhe diplomatët e huaj.

“Unë dua t’i siguroj të gjithë se kam ardhur sot këtu, për të garantuar se Republika e Shqipërisë do të jetë një vend i sundimit të ligjit, dhe i sundimit të popullit, boll me sundimin e oligarkëve. Dhe dua t’i siguroj të gjithë se është e domosdoshme të ndërpritet ekzekutimi i këtij akti kriminal sot në mëngjes dhe që më solli edhe mua këtu për të evituar konfliktin me aktorët, regjisorët, dhe me komunitetin, se do të veprojë drejtësia dhe drejtësia ndërkombëtare ndaj rilindësve lokalë dhe ndërkombëtarë që e kanë lënë vendin edhe pa gjykatë kushtetuese deri tani.”

Ironizon nismën e shumicës për ta shkarkuar nga posti i kreut të shtetit.

Nuk ka forcë në botë, që më ndalon mua si President i Shqipërisë për të vënë para drejtësisë shqiptare dhe ndërkombëtare, rilindësit lokalë dhe ndërkombëtare, të cilët kanë goditur në mënyrë skandalozë reformën madhore që bëmë para tre viteve për t’iu dhënë drejtësi shqiptarëve, në mënyrë që tua japin drejtësinë oligarkëve.”

Në kërkesën që kreu i shtetit depozitoi në Kushtetuese përveç argumenteve ligjore të cilat i bëri publike edhe kur vendosi të mos dekretoi ligjin për teatrin, i kërkon kësaj gjykate pezullimin e menjëhershëm të ligjit, i cili u rivotua nga parlamenti me disa ndryshime. Kjo pasi sipas Metës po evidentohet qartë se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe rreziqet që Qeveria Shqiptare dhe Bashkia Tiranë, duke zbatuar këtë ligj antikushtetues, të realizojnë prishjen, apo dëmtimin e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar. Ky pezullim kërkon kreu i shtetit duhet të vendoset dhe të zgjasë për aq kohë sa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje do të hyjë në fuqi.

Ai e mbyll këtë dokument me kërkesën që kjo të jetë çështja e parë që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë pas konstituimit dhe fillimit të funksionimit të saj.

Tv Klan