Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 98-vjeçare të ish-senatorit amerikan Bob Dole.

Kreu i shtetit thotë se shqiptarët do t’i jenë gjithmonë mirënjohës ish-senatorit për ndihmesën që ka dhënë dhe zërin që ka ngritur për Shqipërinë dhe sidomos për Kosovën.

“Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole. Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre. Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës. Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar! Do të na mungojë shumë të gjithëve”.

Edhe kryedemokrati Basha ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë se “me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë”. /tvklan.al