Meta: Falenderojmë qeverinë dhe qytetarët e Kosovës

Meta dhe Haradinaj në zonën e prekur nga tërmeti

Meta: Falenderojmë qeverinë dhe qytetarët e Kosovës

Presidenti Ilir Meta bashkë me Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj panë nga afër qendrën e emergjencave civile në Durrës, të ngritur në stadiumin “Niko Dovana”. Ata takuan dhe u interesuan për shëndetin dhe gjendjen e banorëve të mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit që goditi vendin.

“Falenderoj për të disatën herë Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, Kryeministrin Haradinaj, e në mënyrë të veçantë Forcat e Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, që kanë shkëlqyer me reagimin e menjëhershëm që në orët e para të përballimit të kësaj tragjedie dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirën  përkrah forcave tona, në ndihmë të qytetarëve tanë që kanë vuajtur këto pasoja të tmerrshme të tërmetit”, tha Meta.

“Jam i nderuar që me një pjesë të kabinetit qeveritar, së bashku me Presidentin e Republikës Meta, jemi sot në Durrës, pranë efektivëve edhe të Policisë së Kosovës, të Ushtrisë së Kosovës, të Ushtrisë së Shqipërisë,  për t’iu dhënë përkrahje të mëtejme të gjithë të angazhuarve për kalimin e gjendjes. Ne bashkëndjejmë me familjet e viktimave, të plagosurve dhe të dëmtuarve, të gjitha ato vështirësi që ka Shqipëria dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë. President faleminderit për kohën tuaj!”, tha Haradinaj.

Meta e falenderoi qeverinë e Kosovës për kontributin financiar në gjysmë milionë euro, duke nxitur dhe solidaritetin e shqiptarëve dhe sipërmarrësve atje.

Tv Klan