Meta: Dialogu për detin me Greqinë po vazhdon që nga 2018, qeveria s’ka dhënë asnjë shpjegim



Meta: Dialogu për detin me Greqinë po vazhdon që nga 2018, qeveria s’ka dhënë asnjë shpjegim

14:33 28/12/2020

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për vendimin e Greqisë, e cila ka njoftuar se ka zgjedhurar hapësirën detare deri në 12 milje. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se ai ka autorizuar plotëfuqi për negocim 13 anëtarëve të grupit negociator që në vitin 2018.

Më tej kreu i shtetit thekson se gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik shqiptar mbi aktin më të fundit të nxjerrë nga autoritetet më të larta të Republikës së Greqisë dhe pasojat e mundshme të tij ndaj vendit tonë, dëshiroj të evidentoj si vijon:

Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr.733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e “’Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve””, datë 19.03.2018.

Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, sqaron Presidenti.

Meta shton se që nga viti 2018 deri sot “nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare“.

Po ashtu shton se lidhur me këtë çështjet ka “kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit”.

Në fund thekson se nuk do të lejojë për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar. Ndërkohë dy qeveritë, ajo greke dhe ajo shqiptare, janë zotuar se çështja e detit do të zgjidhet në gjykatat ndërkombëtare./tvklan.al







Të ngjashme