Vendimi vjen pasi Inteligjenca Artificiale mund të ndërhyjë në rezultatin e zgjedhjeve për parlamentin europian
Kompania ‘Meta’ do të krijojë një ekip për të trajtuar dezinformimin dhe abuzimin e inteligjencës artificiale në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor, mes shqetësimeve për ndërhyrjen në zgjedhje dhe përmbajtjen mashtruese të krijuar nga AI.
Rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale e cila mund të krijojë tekst, imazhe dhe video në sekonda ka shkaktuar frikën se teknologjia e re mund të përdoret për të prishur zgjedhjet e mëdha këtë vit. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen më 6-9 qershor.
“Me afrimin e zgjedhjeve, ne do të aktivizojmë një Qendër Operacionale Zgjedhore për të identifikuar kërcënimet e mundshme”, tha Marco Pancini, kreu i Metës për çështjet e BE-së, në një postim në blogun e tij personal.
Pancini deklaron se ekspertët për inteligjencën, shkencën e të dhënave, inxhinierinë, kërkimin, operacionet, politikat e përmbajtjes dhe ekipet ligjore të kompanisë do të fokusohen në luftimin e keqinformimit, kundër rreziqeve që lidhen me abuzimin e AI.
Meta, e cila aktualisht punon me 26 organizata të pavarura të kontrollit të fakteve dhe të dhënave në të gjithë Bashkimin Evropian që mbulojnë 22 gjuhë, do të shtojë tre partnerë të rinj në Bullgari, Francë dhe Sllovaki, tha Pancini.
Sipas “Marrëveshjes Teknike për të Luftuar Përdorimin Mashtrues të Inteligjencës Artificiale në Zgjedhjet e 2024”, kompanitë ranë dakord të ndërmarrin hapa për të adresuar rreziqet zgjedhore, duke përfshirë zhvillimin e mjeteve për të identifikuar përmbajtjen e krijuar nga AI dhe rritjen e transparencës në lidhje me përpjekjet për të adresuar materialet potencialisht të dëmshme. Ndikimi i inteligjencës artificiale te votuesit tashmë është vënë nën shqyrtim në një numër vendesh.
Klan News