PS: E ka humbur rolin e tij si simbol i unitetit

Daljen e Presidentit Meta përpara mediave në të njëjtën ditë që zhvillohej Konferenca e Donatorëve, mazhoranca e shikon si manovër të kreut të shtetit për të eklipsuar suksesin e arritur nga Qeveria Shqiptare në Bruksel.

Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve, duke folur nga Korça i ka bërë të qartë Presidentit fatin e dekretit për kthimin për rishqyrtim të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, që ai ka paralajmëruar se nuk do ta dekretojë.

“Për Presidentin e kam të qartë përgjigjen, kjo mazhorancë do të zbatojë Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregulloren e Kuvendit. Nëse Presidenti, në vazhdën e shumë ligjeve që nuk i dekreton dhe ja kthen përsëri Kuvendit, Kuvendi do të rrëzojë dekretin e Presidentit”.

Miratimi i ndryshimeve që ju bënë këtij ligji ku parashikohen procedurat e betimit të anëtarëve të Kushtetueses përpara Presidentit, Meta e cilësoi si tentativë për grusht shteti dhe keqpërdorim të ‘Venecias’ nga shumica. Por ndryshe mendojnë përfaqësuesit e kësaj të fundit, që e shohin Ilir Metën më shumë si përfaqësues të opozitës se si garant të paanshmërisë dhe Kushtetutës.

“Nuk ja mohon Kushtetuta të drejtën e dekreteve Presidentit. Edhe në rastin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti është i lirë të ushtrojë atributin e vetë kushtetues, ta dekretojë ose jo por nuk ja lidh dot duart Parlamentit në një Republikë Parlametare për të miratuar ato ligje për të cilat është votuar Parlamenti.

Presidenti mund të ketë parasysh shumë gjëra, por duhet t’i referohet nenit 1 të Kushtetutës së Shqipërisë. Shqipëria është Republikë Parlamentare. Presidenti është një institucion kushtetues që buron nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është i detyruar si çdo institucion tjetër t’i bindet Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Presidenti do të duhet t’i kthehet pozicionit të tij kushtetues, simbol i unitetit të kombit dhe unë mendoj se Ilir Meta si President me këto trajektore dhe sjellje politike që ka patur në vijimësi që në Janarin e vitit 2019 dhe me anulimin e zgjedhjeve vendore, por dhe me rastin e fundit që ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese, unë mendoj se Presidenti e ka humbur rolin e tij si simbol i unitetit të kombit. Ilir Meta sot është opozita e vendit, me sjelljen e vetë politike po luan rolin e opozitës”.

Hapësirat për interpretim që ka lënë Meta kur është pyetur për mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit, janë komentuar dhe nga Manja që thotë se Kushtetuta është e qartë për rastet kur kreu i shtetit mund ta ndërmarrë këtë hap.

“Kushtetuta e ka bërë të qartë se në cilat raste shpërndahet Parlamenti, është diçka absurde ta mendosh, besoj do të ishte shkelja më e rëndë, atentati më i rëndë që mund t’i bëhet Kushtetutës së vendit”.

Por deklaratat e Manjës kanë sjellë reagimin e zëdhënësit të Presidentit, i cili duke folur në emër të Metës, i bën të qartë shumicës se “Parlamentin do e shpërndajë populli dhe Presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij”.

E njëjta gjë sipas tij vlen dhe për dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli.

Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij. Tedi Blushi paralajmëron se do të ketë disa dekrete “për shpartallimin e grushtit të shtetit”, dhe sipas tij, “duhet durim pasi dekretet do t’i zbatojë populli shqiptar”. Pa sqaruar për çfarë dekretesh bëhet fjalë.

Tv Klan