Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidenti vendosi t’i drejtohet sërish Komisionit të Venecias. Kësaj here për të kërkuar ekspertizën në lidhje me emërimet e Metës të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, thotë se askush nuk mund të frenohet që të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias dekretin e Presidentit, por kjo duhet bërë jo për përdorim politik.

“Shteti shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik”, shkruan Blushi.

Më tej ai njofton se edhe Presidenti do t’i drejtohet “Venecias”, por kësaj here në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit, në procesin e zgjedhjes së anëtarëve. Sipas presidentit zgjedhja është bërë pa garë dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Blushi./tvklan.al