Presidenti Ilir Meta nuk i kurseu akuzat ndaj mazhorancës mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”. Sipas tij, mazhoranca po kap të gjitha institucionet në vend dhe kërkon të marrë edhe Presidencën. Arsyeja sipas Metës ka të bëjë me “dy-tre firma” të cilat mazhorancës i duhen nga presidenti. Pavarësisht insistimit të gazetarit Blendi Fevziu, kreu i shtetit nuk pranoi të zbulonte se për çfarë firmash bëhej fjalë, por theksoi se “e duan se u duhet ajo zyrë që dikush aty të hedhin ca firma, që hedhin në erë interesat kombëtare të Shqipërisë”.

Ilir Meta: Ne kemi një grupim i cili dëshiron të kapë të gjithë shtetin edhe nuk dëshiron të respektojë as Kushtetutën, as parimet e shtetit të së drejtës, as parimet e balancës dhe kontrollit, kërkon të eliminojë llogaridhënien.

Blendi Fevziu: Po ju ku e keni përgjegjësinë tuaj në këtë situatë?

Ilir Meta: Shikoi të gjitha institucionet si i ke sot… A kemi një problem, kemi presidentin. Edhe e duan ata edhe presidentin.

Blendi Fevziu: Mazhoranca mund t’ju shkarkojë ju.

Ilir Meta: Po po patjetër, më ka shkarkuar prej kohës. E duan ata edhe presidentin, jo vetëm që të mos i krijojë këto shqetësimet për gjithë këto shkeljet e Kushtetutës, me të gjithë këto tmerret. Por e duan se u duhet ajo zyrë që dikush aty të hedhin ca firma, që hedhin në erë interesat kombëtare të Shqipërisë, por që mund të hedhin në erë edhe interesat kombëtare të shqiptarëve. Por deri në 24 Korrik 2022, ato firma në atë zyrë nuk hidhen.

Blendi Fevziu: Cilat janë këto firma, për çfarë konkretisht?

Ilir Meta: Unë kaq di të them.

Blendi Fevziu: Po çfarë janë këto firma që mazhoranca do një president që t’ia firmosë?

Ilir Meta: Unë të gjitha nuk do t’i them. Ata duan nja dy firma aty, si firma e atij që çoi të gazeta atë ditën e shtunë më 7 Nëntor, ky kryetari i KED.

Blendi Fevziu: I duan firmat për çfarë?

Ilir Meta: I duan se kanë disa detyrime ata, ndërkombëtare, përveç të tjerash apo jo.

Blendi Fevziu: Po flisni për rikorrigjimin e kufijve, ajo s’ka lidhje me Shqipërinë…

Ilir Meta: Tani unë nuk të thashë se për çfarë bëhet fjalë

Blendi Fevziu: Po flisni për marrëveshjen e detit me Greqinë?

Ilir Meta: Unë të thashë që ka nja 2-3 firma që duhen, se duhet ai institucion, po tani atë institucion, Kushtetutën nuk e kam mbrojtur kot siç e kam mbrojtur. Edhe në fund fare nëse bien të gjitha institucionet, presidenti është i popullit./tvklan.al