“E vendos në momentin e duhur pasi të kalojë Kodi i ri”

Presidenti Ilir Meta deklaroi këtë të premte se shpreson shumë që Këshilli Politik ta përfdunojë me sukses punën për Kodin Zgjedhor. Gjatë një konference për mediat ai tha se do t’i miratojë ndryshimet për të.

“Duhet të keni të qartë, siç ju kam thënë vjet që nëse nuk do të bëhen zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse Shqipëria do të ngelë në klasë në Tetor dhe vetëm kaq. Kam thënë që do marrë në qafë Maqedoninë dhe e mori në qafë. Ju e dini se si doli. Kalojmë tek Kodi. Unë shpresoj shumë, jam shumë i entuziazmuar nga lajmet e fundit, nga të gjitha cicërimat se ka një progres për çështjen e Këshillit Politik. Mezi po pres të duartrokas këtë konsensus. Kudo që të jem në Shqipëri do të kthehem menjëherë që të duartrokas konsensusin e tyre dhe t’i themi të gjithë botës që kjo është një arritje shumë e madhe”, tha Meta.

Kreu i shtetit paralajmëroi që me miratimin e Kodit Zgjedhor, do të shpallë edhe ditën e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë gjë ai do ta bëjë pa u konsultuar në mënyrë formale me partitë politike.

“Tani e zëmë se palët nuk ranë dakord. Unë nuk e di për çfarë arsye por nuk e dëshiroj këtë arsye. Do të shikoj se nëse miratohet në mënyrë të paanshme, mundësia ime është ta kthej njëherë për reflektim dhe kaq. Pastaj se si veprojnë është në varësi të aktorëve të tjerë. Në çdo rast me konsensus, por edhe në mënyrë të njëanshme që nuk do të habiteshim sepse këtu ka gjithmonë zhvillime të paparashikueshme, përsëri si President i Republikës dua të bëj qartë që në hapësirë kohore që Kodi do të më lejojë me konsensus apo jo, në ditën më të parë të mundshme në momentin që do të kem hapësirën kushtetutese ligjore do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve dhe nuk do të bëj asnjë konsultim formal me asnjë forcë politike sepse jam i sigurt që të gjithë mezi presin një parlament të ri, plotësisht legjitim”, tha Meta./tvklan.al